Situata emergjente në Deçan, e shpallur për shkak të një helmimi masiv të qytetarëve nga ky qytet, ka marrë gjithë vëmendjen e mediave dhe opinionit publik, shkruan Kosova Post.
Numri i të helmuarve, supozohet të jetë afër 2000, ndërsa institucionet lokale dhe ato nacionale, po bëjnë çmos për ta menaxhuar sa më mirë situatën e krijuar.
“Numri i qytetarëve të Deçanit të cilët po kërkojnë trajtim mjekësor është rreth 2000. Komuna e Deçanit ka shpallur gjendjen emergjente. Vizitat dhe solidarizimi nga përfaqësues institucionesh janë të mirëseardhura, por, qytetarët dhe institucionet lokale kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë të menjëhershme në furnizime me material të domosdoshëm për ta kaluar sa më lehtë këtë situate” – ka shkruar ndër të tjera Albert Kurtulaj, duke iu sugjeruar zyrtarëve shtetëror që të bëjnë më shumë në këtë drejtim, duke u lutur që situata të kalojë me sa më pak pasoja.
Presidentja e shtetit Vjosa Osmani, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, kanë shkuar për vizitë gjatë orëve të paradites, ndërsa Kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhet për një vizitë jashtë vendit, ka treguar gatishmëri për ofrimin e gjithë mbështetjes për deçanasit nga institucionet qendrore.
Albert Kurtulaj, i cili vjen nga Deçani, ka kërkuar që në këtë situatë emergjente, qytetarët e kësaj ane, të mos lihen vetëm nga institucionet relevante./KosovaPost/