Këto deklarata me rëndësi të Al-Kadhimit erdhën përpara vizitës që ai do të fillojë të hënën në kryeqytetin Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Kosova Post.
Duke folur për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, kryeministri irakian tha se tashmë vendi i tij nuk ka më nevojë për forca luftarake amerikane dhe se ridislokimi i trupave amerikane do të varet nga kalendari zyrtar që do të bihet dakord ndërmjet Bagdadit dhe Uashingtonit gjatë kësaj jave.
I pyetur se kur duhet të tërhiqen trupat e huaja nga Iraku, Kryeministri Al-Kadhimi u përgjigj me këto fjalë: “Forcat tona kanë nevojë për një kornizë kohore të caktuar për të luftuar DAESH-in dhe për t’u përgatitur për këtë. Kjo varet nga negociatat që do të kemi në Uashington. Ajo që ne duam nga prania amerikane në Irak, është trajnimi i forcave tona, mbështetja për rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të tyre, si dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë.”
Pasi bëri me dije se Iraku do të vazhdojë kërkesat e tij për trajnim dhe mbështetje të inteligjencës ushtarake nga SHBA-ja, Mustafa al-Kadhimi nënvizoi se forcat irakiane të sigurisë dhe ushtria kanë kapacitet të mjaftueshëm për të mbrojtur vendin pa praninë e forcave amerikane.
Shefi i qeverisë irakiane pritet të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, më 26 korrik. Ata duhet të diskutojnë për çështjen e trupave amerikane në Irak dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në fusha të ndryshme.
Aktualisht në Irak ndodhen rreth 3.000 ushtarë të huaj, nga të cilët 2.500 janë trupa amerikane që luftojnë kundër DAESH-it.
Politikanët irakianë kanë kërkuar tërheqjen e trupave amerikane në vend me një vendim parlamentar të marrë më 5 janar 2020.