Ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka komentuar draftligjin e pagave në sektorin publik, për të cilin thotë se përbën anomalinë më të madhe në reformën e sektorin publik.
Hoti ka shkruar në Facebook, se përcaktimi i koeficienteve shkel parimin e përcaktimit të pagave.
Sipas tij, edhe parimet tjera të hierarkisë shkelen me draftinligjin e pagave.
“Kjo qasje në përcaktimin e koeficientëve e shkel parimin bazë të përcaktimit të pagave, që është pagë e njëjtë për pagë të njëjtë. Parimet e tjera të hierarkisë sa i përket përgjegjësive shkelen gjithashtu”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Postimi i plotë:
Draftligji i pagave në sektorin publik, i cili po qarkullon në opinion, duket se përbën anomalinë më të madhe në reformën e sektorin publik. Në vijim janë disa nga këto anomali:
1.Raporti në mes koeficientit maksimal ndaj atij minimal është 1:10, por shkallshmëria e koeficientëve nëpër sektorë nuk ndjek asnjë parim dhe logjikë.
2.Raporti në mes të koeficientit maksimal dhe minimal (pra pagës maksimale dhe minimale) në sektorë të caktuar është si në vijim:
o në institucionet e drejtësisë 1:2.8,
o në polici dhe në FSK 1:7.2,
o në arsim 1:3.6,
o në shëndetësi 1:2.8,
o në shërbimin civil 1:5.
3.Shefi i kabinetit të ministrit e ka koeficientin 10.8, ndërsa drejtori i SHSKUK-së 10.6.
4.Kadeti policor dhe kadeti i FSK-së e kanë koeficientin 2, që është koeficienti më i ulët në tërë sektorin publik.
5.Pozitat si: roje, kopshtar, shtëpiak, mirëmbajtës, autolarës, rrobalarës dhe pozita të ngjashme në Presidencë, Kryeministri dhe institucione të tjera e kanë koeficientin 3.2, që është për 60% më i lartë se për kadetin policor dhe kadetin e FSK-së.
6.Kopshtari, shtëpiaku, mirëmbajtësu, autolarësi, rrobalarësi dhe pozitat e ngjashme në Presidencë e kanë koeficientin 3.2, por të njëjtat në Kryeministri e kanë koeficientin 3.1, në gjykata 3, në ministri 2.94 dhe në komuna 2.
7.Në fushën e kulturës, koeficienti më i ulët është 3.6, që është vetëm 12% më i lartë se i kopshtarit në Presidencë.
8.Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave e ka koeficientin më të madh se të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe të Komandantit të FSK-së.
9.Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, të cilët janë në krye të institucioneve përkatëse të drejtësisë, nuk e kanë koeficientin më të lartë brenda atyre institucioneve.
Kjo qasje në përcaktimin e koeficientëve e shkel parimin bazë të përcaktimit të pagave, që është pagë e njëjtë për punë të njëjtë. Parimet e tjera të hierarkisë sa i përket përgjegjësive shkelen gjithashtu.