Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte do ta drejtojë NATO-n që nga vjeshta e këtij viti. Zgjedhja e tij në krye të Aleancës veriatlantike po vlerësohet se do të ndikojë pozitivisht edhe në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësimin e saj në këtë organizatë.
Që nga vjeshta e këtij viti, NATO do ta ketë në krye një udhëheqës të ri.
Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte pritet ta drejtojë Aleancën Veriatlantike për katër vitet e ardhshme.
Ai është aleat i Ukrainës dhe kritik i presidentit rus, Putin ku edhe ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin.
Por sa do ta ndihmojë Kosovën drejt anëtarësimit të plotë nw NATO, ish-kryeministri i shtetit që konsiderohet mik i vendit?
Koloneli në pension, Hysen Gecaj thotë se zgjedhja e tij është një lajm i mirë për Kosovën por edhe për vetë NATO-n.
“Rutte mund të them që është një e mirë që është një politikan me përvojë ka shërbyer në shtetin e tij si kryeministër për 10 vite dhe ka qenë shumë i suksesshëm dhe njihet si njeri i kompromiseve të cilat janë të nevojshme në organizatën e NATO-s në mënyrë që të arrijë te konsensuset e nevojshme për të ecë NATO-ja përpara në këtë kuadër edhe Kosova po ashtu”, tha Gecaj.
Sipas tij rrugëtimi i vendit drejt kësaj organizate është i varur më shumë nga rrethanat politike.
“Sigurisht që vendimet politike janë ato parësore që ndikojnë, individi mundet me kry punën pak më mirë ose më keq jashtë atyne politiakve e ka problem të dal dhe të ndikojë qoftë për më mirë ose më keq e kam fjalën për më shumë më keq ose shumë më mirë përndryshe ato politika duhet të ndiqen”, tha ai.
Edhe njohësi i sigurisë vlerëson se Rutte do ta udhëheqë në mënyrë të duhur NATO-n.
“Z.Rutte do të tregon një rezultat ashtu çfarë e ka pasur Stoltenberg do të jetë vazhdimësi apo kontinuitet i asaj të arrihet sidomos në çështjen e sigurisë edhe të Kosovës edhe Ballkanit Perëndimor për nevojat shtesë të sigurisë për shkak të vetë rreziqeve dhe kërcënimeve që vijnë nga aspektet gjeostrategjike ruse por edhe atyre serbe si aleatë”, tha Nuredin Ibishi.
Aktualisht postin e Sekretarit e ka Jens Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë i cili qëndroi në këtë pozitë për 10 vite e që mandati i skadon më 1 tetor.