“Ne nuk kishim dijeni për ndonjë abuzim në atë kohë. Askush nuk e përmendi këtë problem kur isha ministër”, tha ish-kryeministri i Kanadasë, Jean Chretien, transmeton Kosova Post.
Ish-kryeministri i Kanadasë në periudhën 1993-2003, Jean Chretien tha se gjatë mandatit të tij ai nuk ishte në dijeni të tragjedisë që përjetuan fëmijët indigjenë në shkollat e kishës me konvikt, shkruan AA.
Chretien u pyet nga një kanal televiziv për abuzimet që pësuan fëmijët e familjeve indigjene, duke kujtuar se ai ishte ministër i Marrëdhënieve Indigjene dhe Zhvillimit të Veriut në vitet 1968-1974.
Ai tha se nuk ishte në dijeni për fëmijët vendas që merreshin nga familjet e tyre me forcë dhe mbaheshin në shkollat e kishës me konvikt dhe tha se nuk kishte dijeni për ngacmimet seksuale dhe për abuzimet tjera në këto shkolla.
Edhe ai është rritur në konvikte
I pyetur nëse ai kishte marrë përgjegjësinë në dritën e kërkimeve të pashënuara dhe të paregjistruara të varrimit që po ndodhin në shkollat me konvikt, Chretien u përgjigj: “Ato (shkollat me konvikt) kanë qenë atje për një kohë të gjatë. Ne nuk kishim dijeni për ndonjë abuzim në atë kohë. Askush nuk e përmendi këtë problem kur isha ministër. Arsimi është çelësi dhe ky ishte sistemi që ishte në ato ditë”.
Duke lënë pa përgjigje pyetjen nëse do të kërkonte falje për rolin e tij në trashëgiminë e shkollës me konvikt të Kanadasë, Chretien theksoi se ai është i fokusuar në të ardhmen dhe se shumëçka ka ndryshuar në 50 vitet e fundit.
Ish-kryeministri kanadez thotë se edhe vet ai ka qëndruar në shkolla me konvikt nga mosha 6 deri në moshën 21-vjeçare. “Kam ngrënë fasule të thata dhe tërshërë. Jeta në shkollë me konvikt është shumë e vështirë”, tha Chretien.
Ai ka qenë në krye të këtyre shkollave pasi ishte ministër për Çështjet Indigjene dhe Zhvillimin Verior.
“Injoroi atë që ndodhi”
Ndërkaq pas transmetimit të programit, deputeti i Partisë Demokratike të Re, Charlie Angus, i cili bëri një deklaratë për CTV, përkujtoi një letër të vitit 1968 nga një mësues në shkollën e konviktit St.Anne në qytezën Fort Albany që ishte shkruar drejtuar Chretien-it, në atë kohë kur ishte ministër i Çështjeve Vendore.
Angus tha se në letrën e mësuesit thuhej se “janë kryer krime ndaj fëmijëve, ai duhet të bëjë diçka si ministër” ndërsa Jean Chretien nuk iu përgjigj kurrë kësaj thirrjeje dhe injoroi atë që ndodhi”.
“Imagjinoni Chretien duke lexuar atë letër dhe të kishte menduar: ‘Duhet të bëj diçka’. Sa fëmijë mund të ishin shpëtuar? Sepse në atë kohë po kryheshin disa nga krimet më të rënda. Kjo është arsyeja pse është shumë e shëmtuar që Jean Chretien të përpiqet të justifikojë rolin e tij sot. Sepse ai e dinte se njerëzit po i drejtoheshin atij dhe i luteshin të bënte gjënë e duhur dhe ai thjesht i injoroi ata”, tha Angus.
Mijëra fëmijë u keqtrajtuan në konviktet e kishës
I konsideruar si vendi më i madh i abuzimit të fëmijëve në historinë kanadeze, e para nga shkollat e konviktit të Kishës u hap në fillim të viteve 1880 dhe e fundit u mbyll në vitin 1997.
Në shkollat me konvikte të kishës, ku më shumë se 150 mijë fëmijë vendas u morën me forcë nga familjet e tyre dhe u vendosën, ndaj shumicës së këtyre fëmijëve u ushtrua dhunë fizike, seksuale dhe psikologjike nga priftërinjtë, murgeshat dhe mësuesit e tjerë.
Krahas abuzimeve të evidentuara nga Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i krijuar në vitin 2010 në vend, është konstatuar se mbi disa fëmijë janë kryer edhe eksperimente mjekësore.
Qeveria federale kanadeze u ka kërkuar zyrtarisht falje viktimave për atë që ndodhi në shkollat e kishës me konvikt, ku mijëra fëmijë vdiqën nga uria, të ftohtit dhe sëmundjet.