Ish-ministri i mbrojtjes së Ukrainës, Andriy Zagorodnyuk ka deklaruar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të përpiqet të “pushtojë” Ukrainën për sa kohë të jetë gjallë.
Zagorodnyuk foli për Al Jazeera për krizën aktuale me Rusinë.
Moska ka mohuar planifikimin për të pushtuar fqinjin e saj dhe ka akuzuar liderët perëndimorë për se po përpiqen të destabilizojnë situatën në Ukrainë dhe Europë.
Këtë javë Rusia deklaroi se trupat ushtarakë të vendosur pranë kufijve të Ukrainës, ishin kthyer në bazë.
Por nga ana tjetër Uashingtoni ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet, por në fakt po dërgon më shumë forca.
Intervista e ish-ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, Andriy Zagorodnyuk për Al Jazeera:
Al Jazeera: A i besoni bisedave për një tërheqje të trupave ruse?
Andriy Zagorodnyuk: Ne nuk shohim ndonjë tërheqje tani, ne në fakt shohim një zhvendosje dhe manovrim të trupave, kështu që është shumë herët për ta thënë diçka të tillë. Pas 20 shkurtit, kur të përfundojnë stërvitjet ushtarake të Bjellorusisë , Rusia do të duhet të vendosë se çfarë do të bëjë dhe në këtë mënyrë ne do të shohim nëse do të qëndrojnë apo do të largohen trupat ushtarake ruse.
Al Jazeera: Sa prisni të zgjasë kjo krizë?
Zagorodnyuk: Kjo është e ndërlikuar, sepse për sa kohë Presidenti rus, Vladimir Putin është gjallë, ai do të përpiqet të kapë Ukrainën. Ky është obsesioni i tij dhe duket se në një mënyrë apo tjetër, ai është i vendosur ta bëjë këtë.
Fatkeqësisht, ne nuk shohim të ketë një zgjidhje nëse ai vërtet nuk vihet në një situatë të vështirë në vend dhe nga komuniteti ndërkombëtar duke e detyruar atë të tërhiqet. Për këtë krizë aktuale do të mund të themi më shumë pas datës 20 shkurt.
Al Jazeera: A mund të ndihmojnë marrëveshjet e Minskut në uljen e tensioneve Rusi-Ukrainë?
Zagorodnyuk: Minsku duhet të zhvillohet disi sepse është i vjetëruar. Minsk II u nënshkrua në vitin 2015 dhe besojmë se u shkel nga Rusia menjëherë. Flitet për ndërprerjen e armiqësive, gjë që nuk ndodhi. Ata duhej të largonin trupat e huaja, në këtë rast, ato ruse dhe nuk e bënë. Pati gjithashtu një diskutim për një çmontimin e formacioneve ilegale paraushtarake që nuk u zhvillua kurrë. Lirimi i të gjithë të burgosurve politikë nuk ndodhi asnjëherë.
Besoj, Minsku duhet të evoluojë në diçka tjetër, por Rusia po i injoron mangësitë duke supozuar se 99 për qind e njerëzve nuk e kanë lexuar kurrë, kështu që nuk do të jenë në gjendje të komentojnë. Ata që e lexojnë e kuptojnë se është një dokument i ndërlikuar dhe është e vështirë të presësh një zgjidhje prej tij.
Ne dhe pjesa tjetër e botës, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe të gjitha vendet e NATO-s e kuptojmë se është Rusia ajo që është atje dhe këto janë forca përfaqësuese që varen plotësisht nga Rusia. Derisa Moska ta njohë zyrtarisht praninë e tyre ose bota të mos e konsiderojë atë një temë të mbyllur dhe të mos negociojë bazuar në pavarësinë, mendoj se ne kemi ngecur me Minskun. Derisa bota të gjejë një qëndrim të fortë për praninë ruse atje, ne do të ecim përgjithmonë rreth Minskut.
Al Jazeera: Nëse ka një sulm ndaj Ukrainës, çfarë lloj forme prisni të marrë ai?
Zagorodnyuk: Mund të jetë ndryshe. Rusia gjithmonë mban të hapura një sërë opsionesh, ajo kurrë nuk ka një plan. Ne po shohim tensione serioze në lindje të vendit, për të cilën që nga nëntori kemi thënë se ky është shqetësimi ynë numër një.
Ne mendojmë se një përshkallëzim mund të ndodhë. Shqetësimi numër dy është Deti i Zi dhe Deti Azov. Mund të ketë një sulm nga atje dhe ata po grumbullojnë forca të mëdha tani në atë zonë, ku shohim më shumë luftanije se kurrë më parë.