FARUK HANEDAR – Ish-ushtarja dhe ish-diplomatja amerikane Ann Wright tha se i vjen turp për vendin e saj, SHBA-në, për mbështetjen ndaj Izraelit, i cili ka shkaktuar tragjedi njerëzore me sulmet e tij në Gaza.
Wright, e ardhur në Istanbul për Flotilën Ndërkombëtare të Lirisë, e cila u formua me iniciativën e shumë organizatave joqeveritare nga 12 vende dhe pritet të lundrojë në Mesdhe në ditët në vijim, zhvilloi një intervistë me korrespondentin e Anadolus.
Wright, ish-ushtare dhe ish-diplomate amerikane, tregon se në vitin 2003 dha dorëheqje nga posti sepse kundërshtoi Luftën në Irak.
Ajo deklaroi se misioni i Flotilës Ndërkombëtare të Lirisë është “të thyejë bllokadën e paligjshme detare të Izraelit ndaj Gazës dhe t’i shpërndajë ushqim popullit të Gazës që po vdes nga uria për shkak të gjenocidit të shkaktuar mbi popullin e Gazës nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara”.
“Ajo që po bëjnë izraelitët është gjenocid. Ky është spastrim etnik”, tha Wright, duke shtuar:
“Më vjen turp nga SHBA-ja për rolin e saj në mbështetje të Izraelit, ndërsa Izraeli vrau më shumë se 33 mijë njerëz, plagosi më shumë se 75 mijë dhe la mijëra njerëz të vdesin nën rrënoja. SHBA-ja i siguron armë Izraelit, i jep miliarda dollarë dhe refuzon të përdorë kartat e tij për ta bërë Izraelin të ndalojë vrasjen e palestinezëve”.