Zemrat e mëdha dhe shpirtrat e butë e të fortë, në dashurinë ndaj së mirës e së drejtës, nuk mund të jepeshin përballë goditjeve prej sqepave të kukuvajkave dhe të lejonin magjepsjen të triumfonte mbi kthjelltësinë e së vërtetës.
Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë
Në ishullin e largët të Shën Helenës ishte e vështirë të mbërrije. Lundrimi ishte i gjatë e me rreziqe, por lajmet që vinin prej andej e përshkruanin si përrallor. Kur mbërrije në ndonjë liman buzë ishullit, e vetmja gjë që shquhej mes atij mjedisi gjysmë të gjelbër e gjysmë të thatë ishte qyteti i vetëm që ishte dhe kryeqytet i ishullit. Gjysma e qytetit shtrihej në pjesën e gjelbër e gjysma tjetër në pjesën e thatë. Qyteti ishte hermetik. Në qytet hynin vetëm me leje të firmosur nga këshilli drejtues i Shën Helenës. Ishte e vështirë të merrje një lejë të tillë. Kjo ishte e kuptueshme nga numri i paktë i lajmeve që dilnin nga Shën Helena dhe kryeqyteti i ishullit. Flitej aq pak për atë qytet gjysmë të gjelbër e gjysmë të thatë, saqë edhe ajo që thuhej nuk të krijonte ndonjë përshtypje të veçantë. Madje, nga përshkrimet e pakta krijoje bindjen se qyteti ishte më shumë se i zakonshëm. Ndoshta më shumë ngjante me një qytet fantazmë, por asgjë e sigurt nuk mund të thuhej. Ishte e vështirë ta kuptoje edhe se kush kishte mundur ta vizitonte ishullin. Edhe ndër ata/ato që arrinin të vizitonin ishullin, ishte vetëm një rreth shumë i ngushtë njerëzish që mund ta vizitonin qendrën e kryeqytetit, e cila ishte dyfish hermetike. Vetë sjellja e vizitorëve të paktë që ktheheshin prej andej dhe sigurisht ndonjë fjalë e thënë në dalldi e sipër nga suksesi i vizitës, i dekonstruktonte themelet mbi të cilat organizohej jeta në Shën Helenë.
Vizitorët e këtushëm pësonin një ndryshim të madh. Para se të merrnin lejë për të hyrë në qendrën e kryeqendrës së ishullit, të përzgjedhurit kalonin kohë të gjatë bisedimesh, me hapësira ndërprerjesh, me këshillin drejtues të qytetit dhe më pas me vetë trurin drejtues të Shën Helenës. Nga bisedat me të niste dhe procesi i ndryshimit të thellë. Fillimisht e vizitonin pjesën e gjelbër të qytetit dhe aty kalonin në magjepsje. Aq e fortë ishte magjepsja, saqë edhe kur vizitonin pjesën e thatë të qytetit iu dukej më e gjelbëruar se pjesa e gjelbër. Madje, më shumë kohë kalonin në pjesën e thatë. Këtu magjepsja thellohej edhe më. Në ishull kishte disa barëra çudibërës, me të cilët përgatiteshin çajra për vizitorët. Çajrat duhej të piheshin pa ëmbëlsues, por edhe pse ishin të hidhur farmak, për të magjepsurit ishin më të ëmbël se vetë mjalti. Pas gjithë trajtimit ndodhte e pabesueshmja. Natën secili anëtar i grupit më besnik të vizitorëve kthehej në kukuvajkë. Secila kukuvajkë, para se të këndonin gjelat, duhej të kthehej në folenë e përcaktuar që të mos mbetej ditën e tillë. Ishte një ritual që do praktikohej shumë herë derisa të përzgjedhurit të fitonin aftësinë të ndryshonin pa pasur nevojë për prezencën e drejtpërdrejtë të trurit drejtues të Shën Helenës. Pasi e fitonin këtë aftësi, vizitat në Shën Helenë nuk ndërmerreshin më. Kur kuptonin se aftësitë e tyre për të ndryshuar dobësoheshin dhe ndjenin vështirësi për të kryer ritualin, një vizitë ripërtëritëse në Shën Helenë iu bëhej detyrë.
Të pajisur me aftësi të reja, të pazbuluara më herët dhe të përthithura shumë mirë pas përvojës në ishull, kukuvajkat duhet të mblidheshin një orë para se të gdhihej në një vendtakim të përbashkët. Për këtë duhej të kalonin nëpër një llagëm të errët me ujë të ndenjur përzier me barishte të dekompozuara, dhe të mbërrinin në një shpellë me një tryezë të rrumbullakët në mes dhe me vende të përcaktuara për kukuvajkat sipas madhësisë dhe formës së kthetrave. Madhësia dhe forma e kthetrave ishte çelësi hieroglif për të zënë vend në tryezë, në mënyrë që siguria e bisedës të mos cenohej nga ndonjë vizitor i pamenduar. Diskutimi për sukseset si kukuvajka natën dhe si njerëz ditën mbylleshin një çerek ore para se të fluturonin përmes llagëmit e të ktheheshin në fole në orarin e duhur.
Edhe pse ditën mundoheshin të ishin njerëz, për të mbuluar më së miri procesin e ndryshimit nga vizita në ishullin e largët të Shën Helenës, përvoja si kukuvajka nuk i linte të qetë. Shpirti i tyre, i mësuar tashmë me marifete kukuvajkash, e kishte të vështirë t’i bindej gjuhës njerëzore të sjelljes. Gjuha i tradhtonte shpesh artikulimet e tyre me finesë etike. Ndodhte që në vend të fjalëve të kishte klithma ose shpupuritje duarsh në mes të ditës. Shikimi me ëmbëlsi iu humbte dhe vendin e tij e zinte një shikim prej grabitqari. Vetvetja po i tradhtonte dalëngadalë. Sakrifica e fshehjes së karakterit po bëhej kurban në altarin e kukuvajkave. Gjaku i helmuar me trazime hipokritësh po iu ndryshonte veprimtarinë gjymtyrëve. Vuajtjet ishin të thella, por magjepsja e bënte të vetën. Nuk e vërenin topotisjen aspak. Kushdo që mundohej t’u vinte në dukje tmerrin e shtrembërimit të personalitetit, do të ishte në tehun e kritikave dhe goditjes me forcën e grabitqarit të natës. Ata që përpiqeshin për të ndalur magjepsjen, do të cilësoheshin vetë të tillë, prej të magjepsurve. Të mirët, me zemër të madhe, nuk mund të duronin që gjysmënjerëzit e gjysmëkukuvajkat të vuanin prej magjepsjes, ndërkohë që mund të bënin përpjekje si qenie humane, për të përmirësuar njerëzoren brenda tyre dhe jo ta bënin fli në altarin e kukuvajkave.
Zemrat e mëdha dhe shpirtrat e butë e të fortë në dashurinë, ndaj së mirës e së drejtës, nuk mund të jepeshin përballë goditjeve prej sqepave të kukuvajkave dhe të lejonin magjepsjen të triumfonte mbi kthjelltësinë e së vërtetës. Pa sakrificë kjo nuk vjen, por zemrat e mëdha të ndriçuara nga drita e kandilit me vaj të pastër, nuk mendojnë për plagët e momentit, por për frutat që vijnë më pas. Kjo u jep fuqi, shpresë, durim, dhe vullnet që të mos reshtin për të çmagjepsur njerëzit e ditës që ktheheshin nga Shën Helena si kukuvajkat e natës.