Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, mbrëmë ka njoftuar se Abaz Ademi nga koalicioni i partive boshnjake në këtë komunë iu është bashkuar.
“Jam i lumtur që edhe komuniteti boshnjak në krye me Abaz Ademi, që mban numrin 2 në listën “VAKAT”, na u bashku fuqishëm në rrugëtimin tonë për ndryshimin e madh në komunën e Prizrenit. Këtë ndryshim për të mirën e të gjithë qytetarëve të komunës, pa dallim etnie, mund ta bëjmë vetëm ne LDK-ja”, shkroi Quni në rrjetin social Facebook, njofton Klankosova.tv.
Koalicioni Vakat përmes një njoftimi për media që është përcjell nga Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se distancohet plotësisht nga hapat e Ademit, i cili është në listën e tyre elektorale dhe mbetet në përputhje me vendimin e marrë në nivel partie për të mbështetur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka.
“Mbështetja e dhënë nga kandidati i listës “Vakat” për kandidatin tjetër për kryetar komune është qëndrim personal i Abaz Ademit, ndërsa koalicioni Vakat do të mbështesë fuqishëm kandidatin e VV-së Mytaher Haskukën dhe do të mbetet i fokusuar në përfaqësimin dinjitoz dhe efektiv të njerëzve tanë në të gjitha nivelet e qeverisjes” thuhet në reagim.