Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid dhe sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken theksuan se janë të vendosur për të penguar që Irani të bëhet fuqi bërthamore, transmeton KosovaPost.
Lapid zhvilloi një konferencë të përbashkët për media pas takimit me sekretarin Blinken që ka mbërritur në vendin e tij në kuadër të një vizite në rajon i cili krahas Izraelit përfshin vizitat në Bregun Perëndimor, Marok dhe Algjeri gjatë periudhës 26-30 mars.
Në një fjalim të mbajtur këtu, ministri izraelit foli për negociatat bërthamore që vazhdojnë me Iranin në Vjenë. “Bota nuk mund ta përballojë një Iran me armë bërthamore. Bota nuk mund ta përballojë që organizata e Gardës Revolucionare e Iranit të përhapë në mbarë botën terrorin e saj”, tha ai.
– “Kemi mendime të ndryshme për çështjen e marrëveshjes bërthamore”
Me SHBA-në kemi “mendime të ndryshme” për çështjen e arritjes së një marrëveshjeje bërthamore me Iranin në Vjenë, tha Lapid.
“Mes nesh (me SHBA-në) ka mendime të ndryshme për çështjen e marrëveshjes bërthamore. Por, dialogu i hapur dhe i drejtë është një pjesë e miqësisë së fuqishme me SHBA-në. Izraeli dhe SHBA-ja do të vazhdojnë të punojnë bashkë për të penguar që Irani të bëhet fuqi bërthamore”, tha Lapid duke shtuar:
“Në të njëjtën kohë, Izraeli do të bëjë gjithçka që mendon se është e nevojshme për të ndalur programin bërthamor të Iranit. Çfarëdo që të ndodhë. Kërcënimet e Iranit nuk janë teorike. Irani dëshiron të eliminojë Izraelin. Nuk do të mund të kenë sukses. Nuk do ta lejojmë këtë”.
– “Jemi të vendosur që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore”
Sekretari amerikan Blinken i cili ka folur për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës tha se SHBA-ja mbështet vendet e BE-së për të pakësuar varësinë nga Rusia në fushën e energjisë.
Duke potencuar se ka vizituar refugjatët ukrainas që janë larguar në Poloni pasi që ishin detyruar të braktisin vendin e tyre si pasojë e sulmeve të Rusisë, Blinken tërhoqi vëmendjen se “më shumë se gjysma e fëmijëve ukrainas janë zhvendosur”.
Lidhur me vizitën e tij në rajon për periudhën 26-30 mars që përfshin Bregun Perëndimor, Marokun dhe Algjerinë, sekretari Blinken tha “Sepse ky është një rajon në botë ku SHBA-ja ka interesa jetike dhe disa nga miqtë e saj më të ngushtë”.
Ai theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë vendosmërinë e saj të “palëkundur” për sigurinë e Izraelit. “Presidenti (Joe) Biden, në ditët e kaluara nënshkroi projekt-draftin që përfshin 1 miliard dollarë për sistemin ‘Kubeja e Hekurt’ e cila shpëton jetë të panumërt njerëzish, përfshirë edhe luftën e përjetuar vitin e kaluar me Hamasin”, tha Blinken.
Blinken tha se një nga çështjet më kryesore në takimin e tij me homologun izraelit ishte Irani.
“Të dy jemi të vendosur dhe në mënyrë të prerë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës të rikujtojnë se përse është kaq e rëndësishme kjo. Një Iran me kapacitet bërthamor do të jetë edhe më agresiv”, tha ai.
Sipas tij, SHBA-ja beson se rikthimi në planin gjithëpërfshirës të përbashkët të veprimit (në bisedimet e Vjenës) janë rruga më e mirë për ta rivendosur Iranin në kutinë, në programin bërthamor ku ai ndodhej më parë, por nga e cila u arratis për shkak se SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja./AA