Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbërritur në Londër për funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II, që mbahet të hënën.
Biden është në mesin e rreth 500 krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja që do të jenë në Londër.
Kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re po ashtu tashmë janë në Mbretërinë e Bashkuar.
Polemika rrethon disa nga të ftuarit, siç është Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.
India do të përfaqësohet nga presidenti Droupadi Murmu, derisa ndër liderët botëror që do të marrin pjesë janë edhe presidenti francez Emmanuel Macron, ai irlandez, Micheal Martin, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti italian Sergio Mattarella, shkruan BBC.
Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa.
Shumë nga të ftuarit pritet t’i bëjnë nderimet e tyre mbretëreshës në shtëpinë e saj në Westminster Hall dhe të nënshkruhen në librin e ngushëllimit në Lancaster House.
Por fokusi do të jetë tek pritja zyrtare shtetërore e organizuar nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, të dielën.
Për shumë liderë, ky do të jetë rasti i tyre i vetëm për t’u takuar kolektivisht dhe për t’u angazhuar në njëfarë diplomacie.
Megjithatë, disa nga të ftuarit e ftuar për të marrë pjesë në funeral kanë ‘ngritur vetullat’.
Zgjatja e një ftese për Princin e Kurorës dhe sundimtarin de fakto të Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman ka rezultuar i diskutueshëm.
Ai akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi brenda Konsullatës Saudite në Stamboll, Turqi në vitin 2018 – një akuzë që Princi i Kurorës dhe qeveria e tij e mohojnë.
Një tjetër ftesë që ka sjellë kritika është ajo për Presidentin e Kinës Xi Jinping, për shkak të akuzave për krime kundër njerëzimit të ngritura ndaj qeverisë kineze.
Por nuk do të jetë presidenti Xi që do të marrë pjesë në funeral. Në vend të tij, zëvendëspresidenti Wang Qishan do të udhëtojë në Londër, shkruan tutje BBC.
Ndërkohë, përfaqësues nga Rusia, Bjellorusia, Mianmari, Siria, Venezuela dhe Afganistani nuk janë ftuar në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës.
Irani, Koreja e Veriut dhe Nikaragua janë ftuar vetëm të dërgojnë ambasadorë, në vend të krerëve të shteteve.
Në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II, do të marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.