Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ia ka parashtruar një pyetje kryeministrit Albin Kurti sa i përket çështjes së shpronësimeve.
“A jeni kundër shpronësimeve në koncept dhe nëse nuk jeni kundër, sa shpronësime i keni bërë në qeverinë “Kurti 1 dhe “Kurti 2?”, tha Kadrijaj.
Kësaj pyetjeje i është kundërpërgjigjur Kurti, duke i thënë se borxhet për shpronësime i kanë gjetur në vlerën prej 184 milionë eurove dhe me zero buxhet të ndarë.
“Me ardhjen tonë në qeverisje borxhet për shpronësimet i kemi gjetur në vlerën prej 184 milionë eurove dhe me 0 euro buxhet të ndarë për to. Pra kemi gjetur proces të shpronësimit me keqmenaxhim. Menjëherë kemi vepruar dhe kemi ndarë buxhet për ta paguar borxhin e mbledhur. Fillimisht gjatë rishikimit të buxhetit me 14.7 milionë euro, kurse tash për vitin e ardhshëm me 57 milionë euro, shumë më e madhe e ndarë ndonjëherë për t’i mbuluar obligimet nga shpronësimet”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe blerjen e një ari tokë me vlerë 1-euroshe.
“Ju shumë mirë e dini se si disa këtej kanë blerë qindra hektarë tokë kur për një ari tokë me vlerë 1 e 3 euro kanë paguar, përderisa vlera reale ishte shumëfish më e lartë në treg, pra ka paguar shteti, jo ata. Ne kemi problem me plaçkitjen që është bërë në emër të shpronësimit. Dyfishimi i vlerave të pronave nga zyra, pasi ato janë vlerësuar nuk është shpronësim, është hajni”, tha kryeministri.
Shefi i Ekzekutivit të vendit tha se shpronësimi si koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte në interes të publikut, por sipas tij asnjëherë nuk do të lejojnë të dyfishohen vlerat,transmeton zëri.“Ne si qeveri kemi miratuar shpronësime dhe shpronësimi si koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte në interesin e publikut, por asnjëherë nuk do të lejojmë që përgjatë rrugës të na dyfishohen vlerat, siç ju ka ndodhur juve”, përfundoi ai.