Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 15 dhjetor, shkruan Kosova Post.
15 dhjetor 1893 – U deshifruan dhe lexuan për herë të parë Përmendoret (Mbishkrimet) e Orhunit. Linguisti danez, Wilhelm Ludwig Thomsen, profesor në Universitetin e Kopenhagës, përmes një komunikate në adresë të Akademisë Mbretërore Daneze të Shkencave, njoftoi botën e shkencës se kishte deshifruar alfabetin gokturk dhe lexuar mbishkrimet në fjalë. Në anën lindore të stelës së Mbretit Bilgehan thuhet: “Bejlerë turq të Oguzit, dëgjojeni popullin! Për sa kohë që qielli nuk bie dhe toka nuk shembet, askush s’mund ta rrëzojë shtetin dhe t’i prishë ligjet tuaja!”
15 dhjetor 1989 – Një kryengritje popullore në Rumani, në ditën e parë të së cilës humbën jetën 105 veta, solli përmbysjen e regjimit komunist 42-vjeçar. Revolucioni filloi në qytetin Timishoara dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin. Ky ishte rrëzimi i regjimit të fundit komunist në një vend të Paktit të Varshavës gjatë ngjarjeve të vitit 1989 dhe e vetmja kryengritje që përmbysi me forcë një qeveri komuniste duke çuar në ekzekutimin me vdekje të udhëheqësit të saj, Nikolae Çaushesku dhe bashkëshortes së tij Elena, më 25 dhjetor.
15 dhjetor 1995 – Gjykata Evropiane e Drejtësisë shpalli vendimin lidhur me çështjen e ngritur nga futbollisti belg, Jean-Mark Bosman. Sipas vendimit që në botën e sportit njihet si “Rregullat e Bosmanit”, në kampionatet kombëtare të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u hoq kufizimi i futbollistëve të huaj me kushtin që lojtari i transferuar të jetë shtetas i BE-së. Gjithnjë në bazë të vendimit në fjalë, futbollistët që përfundojnë kontratën janë të lirë të shkojnë në klubin që dëshirojnë, pa paguar tarifën e transferimit.
1791 – Karta amerikane e të Drejtave bëhet ligj pas ratifikimit nga dy të tretat e 14 shteteve. Ndikuar nga Karta angleze e të Drejtave (1689), dhe dokumentet e mëparshme politike angleze, si Magna Karta (1215), Karta amerikane ndjek shembullin e Deklaratës së të Drejtave të Virxhinias, hartuar nga George Mason më 1776. Karta e të Drejtave përmban 10 amendamentet e para të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Një nga 14 kopjet origjinale të saj është në shfaqje publike në Arkivat Kombëtare në Uashington, D.C. Karta e të Drejtave rendit liritë që nuk përmenden në mënyrë të veçantë në tekstin kryesor të Kushtetutës, siç janë; liria e fesë, e fjalës, e shtypit, e kuvendimit, mbledhjes, grumbullimit, e drejta për të mbajtur armë, liri nga kontrolle e konfiskime të pa-arsyeshme, siguri të gjërave personale, liri nga fletë-arreste pa shkak të mundshëm, garanci për gjykim të shpejtë të hapur me juri të pa-anshme, ndalimi i ndjekjes, gjykimit ose dënimit 2 herë për të njëjtën vepër penale.
1832 – Në Dizhon të Francës lindi Aleksandër Gustave Eiffel inxhinier dhe arkitekt francez; bëri emër me ura të ndryshme për rrjetin hekurudhor francez, para se të merrte famë botërore me Statujën e Lirisë, Nju Jork (1886) dhe Kullën e ndërtuar për Ekspozitën Universale në Paris (1889). Kulla mban emrin e tij, Eiffel. Por reputacioni i tij do të dëmtohej rëndë; në vitin 1888, Eifel u përfshi në projektin e një kanali në Panama për një lidhje të shkurtër midis Oqeaneve Atlantik e Paqësor; ndërkohë, kompania franceze e ndërtimit të Kanalit falimentoi dhe Eiffel u implikua në skandalin financiar dhe politik që pasoi; u akuzua për keqpërdorim fondesh; më 1893 shpallet fajtor; dënohet me gjobë të madhe dhe 2 vjet burgim. Më pas (1904), Kanali i Panamasë do të merrej përsipër nga amerikanët, dhe do të përfundonte më 1914.