Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, pas dy muajsh protestash të studentëve, duhet parë me kujdes, përcjell KosovaPost.
Në një postim në Facebook, ai tha se dorëheqja e Vuçeviqit vjen në kohën kur Serbia po përballet me disa sfida.
“Dorëheqja e tij vjen në një periudhë tejet delikate për Serbinë, kur po përballet me një sërë sfidash nga disfata në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjska, mundësisë së përfshirjes në sulmin tjetër terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës, presionet e brendshme për reforma zgjedhore, deri te presionet ndërkombëtare në rritje ndaj politikës së jashtme të Vuçiqit të ekuilibrimit në katër karrige (BE, Washington, Moskë e Pekin)”, ka shkruar ai .
Kamberi ka ngritur pikëpyetjen se çka fshihet pas dorëheqjes, mbledhjes së jashtëzakonshme të presidentit Aleksandar Vuçiq me Qeverinë dhe dorëheqjen e kryetarit të Novi-Sadit.
“Natyrshëm ngrihen pikëpyetjet: Çfarë fshihet pas këtyre lëvizjeve? A është kjo një krizë e thellë në strukturat e pushtetit, apo strategji e menduar mirë për të përgatitur terrenin për zgjedhje të reja ose për të lehtësuar presionet ndërkombëtare?. Do të jetë kjo një kapitullim i Vuçiqit para studentëve të revoltuar, apo është vetëm një taktikë e tij e re për t’i zgjatur jetën pushtetit të tij autoritar”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka theksuar se themelimi i “Lëvizjes për shtetin” nga Vuçiqi , ditë më parë është përpjekje e tij për t’u shpërlarë nga partia e tij SNS “në të njëjtën formë dhe model qysh ishte shpërlarë nga Partia Radikale serbe e Vojisllav Sheshelit, me premtimin se me ndërrimin e petkut do të ndryshojë edhe ideologjinë politike radikale të hegjemonisë serbe”.
“Doli se Vuçiq, si një radikal hegjemonist i përbetuar, me premtime boshe ndaj Perëndimit, vetëm se kishte blerë kohë vazhdimisht, për ta forcuar pushtetin e tij në Serbi, duke degraduar në skajshmëri lirinë e fjalës dhe shumë liri të tjera qytetare, sidomos duke shndërruar në normë diskriminimin e pakicave sidomos të shqiptarëve. Konfliktuoz me fqinjët, me pretendime hegjemoniste përmes ‘Botës serbe’ ndaj shteteve përreth, Vuçiq është shndërruar në pengesën kryesore për paqen e qëndrueshme në Ballkan. Në të njëjtën kohë, ‘pastrimet politike’ shtojnë një tjetër dimension në këtë tablo të ngarkuar politike. Politizimi i institucioneve dhe zëvendësimi i punonjësve ekzistues me persona të lidhur me parti specifike janë shqetësime që prekin jo vetëm administratën shtetërore e lokale, por edhe gjithë sistemin e qeverisjes dhe sistemin gjyqësorë”, ka shkruar Kamberi.
Megjithatë lëvizjet e fundit në Beograd sipas tij duhet parë me kujdes, sepse në dukje i dorëzuar ndaj kërkesave të protestuesve, Vuçiq, me gjasë, po përgatitë një skenar për daljen nga kriza duke “flijuar” kështu bashkëpunëtorët e vet të afërt.