KDI publikon raportin me të arriturat dhe ngecjet e Kuvendit të Kosovës

Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në KDI, tha se katër vitet e kësaj legjislature janë shoqëruar me një seri mundësish të humbura dhe një mungesë të përgjegjshmërisë nga ana e deputetëve. Pavarësisht miratimit të 282 ligjeve, legjislatura ka hasur në shumë sfida që kanë penguar efikasitetin e saj.

Mbi të gjitha, sipas KDI-së, zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ato në pjesën veriore, kanë ndikuar në masë të madhe dinamikat brenda Kuvendit.

“Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe në nëntor 2022, pas muajsh bojkotimesh, e la komunitetin serb në Kosovë pa përfaqësim në Kuvend dhe pamundësoi miratimin e ligjeve që kërkonin shumicën e dyfishtë. Për të njëjtën arsye nuk arritën të miratohen as tri propozim-amendamentet kushtetuese për zhvillimin e procesit të vetingut në drejtësi. Lidhur me këtë, partia në pushtet nuk prezantoi ndonjë alternativë tjetër, duke e lënë këtë çështje pa ndonjë epilog”, thuhet në raportin e KDI-së.

Megjithatë, sipas KDI-së, një nga arritjet e kësaj legjislature ishte miratimi i Rregullores së re të Punës, dokument ky i cili nuk ishte ndryshuar nga asnjë legjislaturë paraprake për më shumë se 10 vite.

Në anën tjetër, sipas këtij instituti, Kuvendi dështoi të miratonte Kodin e Sjelljes së deputetëve, një obligim ky që buron nga Rregullorja dhe synon avancimin e rregullave të sjelljes në Kuvend. Ngjashëm, Kuvendi dështoi të miratonte Projekt Kodin Civil, veprim ky i cili është në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së të drejtave civile dhe i pamundësoi vendit kodifikimin e procedurës civile.

“Në një anë ka pasur mbi 5 mijë mungesa të deputetëve dhe në anën tjetër edhe kur disa prej deputetëve kanë qenë prezent në seancat e Kuvendit, pjesëmarrja e tyre ka figuruar vetëm në letër, por jo edhe në punimet e Kuvendit. Kështu, në listën e evidencës zyrtare të Kuvendit ku nënshkruhen deputetët, për çdo seancë kanë figuruar më shumë se 90 deputetë”, thuhet në raportin e KDI-së.

Mungesa e kuorumit ndikoi edhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, e cila gjatë kësaj periudhe mbajti gjithsej 93 mbledhje, nga 124 mbledhje sa ishin të planifikuara. 25% e tyre dështuan në mungesë të kuorumit. Vetëm në fund të vitit 2021, 4 mbledhje të njëpasnjëshme të Kryesisë dështuan. Ngjashëm edhe 3 mbledhje gjatë gjysmës së parë të vitit 2023.

Tutje në raport thuhet se edhe pse sipas Rregullores së Kuvendit, Kryesia duhet të miratojë kalendarin e punimeve njëmujore të Kuvendit, i cili publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit, kjo praktikë nuk u zbatua as gjatë kësaj Legjislature. Si rezultat, Kuvendi zhvilloi punën me kalendar kryesisht ditor dhe javor, duke reflektuar një planifikim të dobët të punës dhe një mungesë të qartësisë në organizimin e aktiviteteve parlamentare.

Sa i përket numrit të seancave, janë mbajtur gjithsej 263 seanca duke përfshirë këtu seancat plenare, seancat e jashtëzakonshme, vazhdimet e seancave, seancat solemne dhe seancat e veçanta. Mesatarisht 35% të seancave të mbajtura kanë prodhuar edhe vazhdime të seancave, pasi nuk kanë është arritur të përfundohen pikat e planifikuara të rendit të ditës.

“Gjatë mandatit të plotë të kësaj Legjislature, Kuvendi përmbushi mesatarisht 36% të planit legjislativ, duke mos arritur asnjëherë të realizojë as gjysmën e planit të tij legjislativ vjetor. Në anën tjetër, 154 projektligje apo 21% e legjislacionit, nuk arritën të iu shpërndahen asnjëherë deputetëve edhe pse ishin në planet e punës së komisioneve, për shkak se Qeveria nuk i solli draftet në Kuvend. Në aspekt të numrit të ligjeve të miratuara, në këtë Legjislaturë u miratuan gjithsej 282 Ligje, prej tyre 205 Ligje të brendshme që rregullojnë fusha të ndryshme dhe 77 Marrëveshje ndërkombëtare që përbëjnë 27% të legjislacionit të miratuar gjatë kësaj Legjislature. 32 ligje të miratuara u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese, prej të cilave 3 ligje u shpallën të pavlefshme dhe 3 të tjera pjesërisht në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në raportin e KDI-së.

Sa i përket përfshirjes qytetare në procesin ligjvënës, 77 dëgjime publike për 63 Projektligje, të cilat u organizuan nga Kuvendi përbëjnë vetëm 31% të legjislacionit, në të cilin kishte përfshirje publike.

Në fund të Legjislaturës, 41 Projektligje mbetën në procedurë, 17 prej të cilave kaluan shqyrtimin e parë në Kuvend, ndërsa 24 arritën vetëm tu shpërndahen deputetëve. Kjo Legjislature la pa ratifikuar 9 marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme për përmirësimin e sektorëve kyç si energjia, shëndetësia, dhe arsimi.

Sipas KDI-së, gjuha dhe sjelljet jo parlamentare kanë qenë të shpeshta gjatë kësaj legjislature. Në vitin 2023 ato kulmuan me përplasje fizike në mes të deputetëve e ministrave. Në shumë raste, mungoi shqiptimi i sanksioneve nga ana e Kryetarit të Kuvendit. Roli mbikëqyrës i Kuvendit u cenua nga ekzekutivi, kur Kryeministri Albin Kurti në tetor 2023 refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve parlamentare të deputetëve, duke i kushtëzuar me votim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Veç kësaj edhe zvarritja e themelimit të komisioneve hetimore dhe pengimi i punës së tyre nga partia në pushtet. 6 komisione hetimore që u themeluan gjatë kësaj periudhe, asnjëri prej tyre nuk arriti ta përmbyllte mandatin me raport përfundimtar të hetimit, duke shpërfaqur nevojën për ndryshim të Ligjit për Hetim Parlamentar.

Gjatë funksionimit të Legjislaturës së tetë, u mbajtën gjithsej 36 debate parlamentare dhe 6 interpelnaca. Kryeministri kishte vetëm dy raportime para Kuvendit, lidhur me zhvillimet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ndërsa, deputetët parashtruan mbi 603 pyetje parlamentare ndaj Kryeministrit Kurti dhe ministrave të kabinetit të tij, në 83% prej të cilave morën përgjigje me shumë vonesa, ndërsa në 17% prej tyre ekzekutivi nuk ishte prezent në seanca apo refuzuan të përgjigjen.

Kuvendi gjatë kësaj legjislature, inicioi mbikëqyrjen e zbatimit të 29 ligjeve duke përmbushur vetëm gjysmën e obligimit që buron nga Rregullorja. Ndërsa, vetëm 7 raporte të mbikëqyrjes arritën të miratohen në seancë të Kuvendit. Ministrat e kabinetit qeveritar ishin prezent 226 herë në mbledhjet e komisioneve apo në 18% të tyre. Prej tyre, 126 herë, apo në 10% të mbledhjeve ata erdhën në komisione për të raportuar për punën e tyre.

Sipas raportit të KDI-së, 14 komisionet parlamentare të Kuvendit, përgjatë këtyre 4 viteve realizuan gjithsej 1674 aktivitete. Prej tyre, 1291 ishin mbledhje, 77 dëgjime publike, 3 dëgjime mbikëqyrëse dhe aktivitete tjera. Kryetari i Kuvendit zhvilloi 495 aktivitete brenda dhe jashtë vendit. Prej tyre, 300 apo 61% e aktiviteteve ishin takime zyrtare në Kuvend me përfaqësues vendor, ambasadorë e përfaqësues tjerë ndërkombëtarë,  ndërsa, 4% e aktiviteteve apo 21 ishin vizita jashtë vendit. Ndërsa deputetët zhvilluan 265 aktivitete, prej tyre 40%, vizita zyrtare jashtë  vendit.rtk.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika