Kërkesa e kamotshme e Katalonjës për pavarësi në dokumentet osmane (Foto)

Dokumente të periudhës osmane kanë hedhur dritë mbi faktin se kërkesa për pavarësim të Katalonjës, këmbënguljet dhe pritjet në këtë drejtim kanë ndodhur edhe në shekullin e 19-të.

Teksa pritej shpallja e pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës në lindje të Spanjës pas mbajtjes së referendumit i cili u cilësua si “i jashtëligjshëm” nga ana e qeverisë spanjolle, një gjë e tillë u pezullua në një mënyrë befasuese.

Në dokumentet historike të Arkivit Osman në Turqi që datojnë nga viti 1900 dhe 1902, shihet se kërkesë dhe pritje për pavarësi të Katalonjës, si dhe pezullim të një hapi të tillë ka pasur edhe në shekullin e 19-të.

Në dokumente gjenden informata lidhur me këtë çështje me të cilat Kryekonsullata e Shtetit Osman në Madrid atëbotë i kishte informuar autoritetet osmane të periudhës së Sulltan Abdulhamidit të Dytë.

Historiani Osman Köse, thotë se të dhënat që gjenden në dokumentet lidhur me Katalonjën u ngjajnë zhvillimeve aktuale.

Köse rrëfen se katalonjasit janë një nga popujt më të lashtë të Evropës, ndërsa shton se ata kanë hyrë nën administrimin e Spanjës nga shekulli 15, me bashkimin e mbretërive të Kastiljës dhe Aragonit.

Duke folur për zotësitë e katalonjasve në fushën e artit, tregtisë, prodhimit dhe kulturës, Köse shprehet se kjo dallueshmëri te katalonjasit ka qenë faktor që ata, siç thotë, ta mbajnë aktive praninë e tyre në Spanjë dhe ta mbajnë gjithnjë të gjallë dëshirën për pavarësi.

Sipas tij, në shekujt 17 dhe 18 katalonjasit disa herë kanë bërë kryengritje kundër qeverisë së Madridit.

Köse rrëfen se kryengritja kryesore katalonjase kundër spanjollëve është shfaqur pas gjysmës së dytë të shekullit 19, duke thënë se katalonjasit ishin ndikuar thellësisht nga lëvizjet nacionaliste që kishin filluar të shfaqen nëpër Evropë, gjë që, sipas tij, ka çuar në rezistencë dhe unitet përballë spanjollëve.

Siç shpejgon ai, në fund të shekullit 19, në të cilin lëvizjet nacionaliste lëkundën shtetet shumëkombëshe siç ishin Austria dhe shteti osman, edhe Spanja përjetoi ditë të vështira për shkak të aktiviteteve të katalonjasve për ndarje dhe kryengritje.

“Kah fundi i shekullit, shteti osman, i cili me Marrëveshjen e Berlinit të vitit 1878 humbi një pjesë të madhe të territoreve në Evropë dhe Ballkan, pra, në këtë periudhë kur merrej me lëvizjet nacionaliste armene, ka ndjekur me kujdes dhe nga afër lëvizjet dhe përpjekjet e katalonjasve për pavarësi. Kah vitet 1900, aktivitetet në Barcelonë dhe rrethinë, veçanërisht aktivitetet dhe lëvizjet e përkrahësive të liderit katalonjas Don Carlos, janë ndjekur çdo ditë nga ana e Kryekonsullatës Osmane në Madrid”, thotë Köse.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe, politikanët katalonjas bënë njëfarë rezistence pasive ndaj autoriteteve spanjolle. Ai thotë se sipas të dhënave të dërguara nga Kryekonsullata në Madrid, varësia e katalonjasve ndaj Mbretërisë së Spanjës konsiderohej si “e padëshirueshme” dhe se katalonjasit ëndërronin të ndaheshin nga Spanja dhe të kenë shtetin e tyre.

“Ndërkaq, spanjollët ishin tejet të shqetësuar nga gatishmëria dhe rezistenca e katalonjasve. Sipas katalonjasve, kryeministri i Spanjës Francisco Silvela Le Vielleuze (1899-1900) u kishte premtuar autonomi katalonjasve para ardhjes në qeveri, por nuk e kishte mbajtur fjalën pas marrjes së pushtetit”, tregon Köse.

“Megjithëse Silvela thoshte se nuk ka dhënë një premtim të tillë, katalonjasit reaguan ndaj mosmbajtjes së premtimit dhe nisën një rezistencë pasive. Në kuadër të kësaj rezistence, banorët e Barcelonës dhe qyteteve përreth inicuan lëvizje protestuese, duke mos paguar taksat. Dyqanet u mbyllën dhe popullata u rebelua”, shton ai.

Ai thotë se nga mesazhet e dërguara po ashtu mësohet se Silvela burgosi liderët dhe figurat e rëndësishme katalonjase që nxitën kryengritjen e popullit, në mënyrë që t’i zbraps këto zhvillime.

Kjo gjë, sipas Köse, i acaroi edhe më tepër katalonjasit, ndërsa me përkeqësimin e situatës, qeveria spanjolle ndërmori masa ushtarake, duke dërguar ushtarë në Barcelonë.

Köse bënë të ditur se ngjarjet kishin dalë nga kontrolli kur shumë liderë dhe banorë të Katalonjës u burgosën, kurse ushtarët spanjollë të dërguar për ta qetësuar situatën liruan të burgosurit përkohësisht, gjë që, siç thotë ai, ndikoi në qetësimin e tensioneve.

Duke cituar informata nga dokumentet osmane, ai shton se liderët katalonjas kishin krijuar një delegacion dhe shkuan në Madrid për t’u takuar me qeverinë qendrore pas përkeqësimit të gjendjes.

“Delegacioni u takua me odat tregtare dhe bujqësore në Madrid si dhe me Mbretin Alfonso Trembëdhjetë, por nuk mori asnjë rezultat. Alfonso i Trembëdhjetë ishte për zgjidhjen e problemet pa gjakderdhje dhe kundër përdorimit të dhunës. Për këtë arsye, kryeministri Silvera u largua nga detyra, ndërsa qeverinë e re e formoi Marcelo Azcarraga Palmero, i cili do të ulej në këtë post për herë të dytë”, vazhdon Köse.

“Qeveria e re, teksa nga njëra anë vazhdoi të ndjekë një politikë larg dhunës, nga ana tjetër dërgoi korpusin ushtarak Carlosi i Pestë në Barcelonë si masë parandaluese në rast incidentesh të mundshme”, shtoi ai.

“Më 1902, në Katalonjë u rishfaqën shenja kryengritjeje”

Köse më tej thotë se rezistenca dhe opozita në Barcelonë çdo ditë e më shumë intensifikohej.

“Më 1902, në Katalonjë u rishfaqën shenja kryengritjeje. Përkrahësit e Don Carlosit në çdo anë bënin përgatitje të fshehta ushtarake. Tregues i kësaj është konfisikimi i 12 mijë bajonetave nga ushtarët spanjollë në vende të fshehura në malet dhe kodrat përreth Barcelonës, thotë ai, duke shtuar se në fillim të vitit 1902, kah fundi i majit, në shumë qytete të Evropës kishte pritje të mëdha se katalonjasit do të rebelohen para ceremonive me rastin e përvjetorit të kurorëzimit të Alfonsos së Trembëdhjetë.

“Kyengritja e pritur në fund të majit të vitit 1902 nuk u realizua, por dëshira dhe përpjekjet e katalonjasve u rrit nga dita në ditë. Luftërat civile dhe rebelimet e shkurtra që ndodhën në vitin 1909 ishin rezultat i këtyre proceseve”, vlerëson Köse.

Sipas tij, para Luftës së Parë Botërore, sikurse sot, çështja e Katalonjës ishte çështja më e rëndësishme e Spanjës dhe zhvillim i ndjekur me kujdes nga bota. Köse thekson se çështja e Katalonjës gjatë të kaluarës i ka sjellë destabilizime të mëdha ekonomike dhe politike Spanjës.

“Nëse merret parasysh kohëzgjatja e mandateve të 15 politikanëve në postin e kryeminstrit në periudhën 1900-1909, mund të kuptohen lehtë përmasat e destabilitetit dhe problemeve me të cilat u përball Spanja”, shpjegon ai.

Ngjashmëritë pas një shekulli

Köse vlerëson se qasja e shtetit osman ndaj zhvillimeve atëbotë dhe qëndrimi aktual i Turqisë ndaj referendumit për pavarësi të Katalonjës kanë treguar disa ngjashmëri.

“Gjatë këtyre viteve, osmanët i ndoqën me kujdes të madh zhvillimet në Spanjë. Gjatë të njëjtës periudhë, ngjarjet separatiste armene që u përfolën botërisht, bënë që qeveria e Abdulhamidit të Dytë t’u kushtojë kujdes edhe lëvizjeve katalane në Spanjën e cila përjetoi zhvillime të ngjashme. Në këto vite, detyra më e rëndësishme e Kryekonsullatës Osmane në Madrid ishte t’i përçojë të plota dhe të vërteta zhvillimet e rëndësishme në këtë rajon”, tregon ai.

Në të njëjtën mënyrë, Köse shprehet se edhe referendumi i paradokohshëm për pavarësi në Katalonjë fitoi rëndësi të madhe si një problem i brendshëm i Spanjës, por edhe është ndjekur me kujdes si nga bota, njashtu edhe nga Turqia.

“Katalonja është çështje e brendshme e Spanjës, por referendumi për pavarësi që u mbajt në veri të Irakut që është pranë Turqisë, ka ndikuar në pikëpamjen e Turqisë kundrejt Katalonjës. Kjo, sepse sikur të mbështetej pavarësia katalonjase, do të ishte kontradiktore të kundërshtohej struktura që përpiqet të krijohet në veri të Irakut”, tha Köse, duke rikujtuar edhe deklaratën e kryeministrit turk Binali Yıldırım, i cili ka thënë se është normale të kundërshtojnë edhe referendumin në Katalonjë, pasi e kanë kundërshtuar edhe për veriun e Irakut.

“Domethënë, sikurse para një shekulli osmanët, sot Turqia ndjek me vëmendje çështjen e Katalonjës. Ashtu sikurse ngjarjet armene atëbotë ndikuan në pikëpamjet e osmanëve, edhe sot zhvillimet e fundit, qoftë brenda ose ato në veri të Irakut, janë shkaktarë që Turqia të zhvillojë realpolitikë në pikëpamjet e saj kundrejt çështjes së Katalonjës”, vlerëson Köse, shkruajnë mediet e huaja, transmeton Kosova Post.

© KosovaPost.net Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may also like

LDK mbanë konferencë në mëngjes, Isa Mustafa do të votoj në këtë qendër votimi

Nesër, në orën 08:00, në Sallën e Konferencave