Këshilli i Etikës i ka rekomanduar Rektoratit pezullimin nga puna të profesorit, Xhevat Krasniqi.
Po ashtu në komunikatë thuhet se ky këshill, refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së.
“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit pezullimin nga puna të Prof. Xh.K, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit. Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulmi ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së. Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga persona, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së. ”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Universitetit të Prishtinës se i kishte ngacmuar seksualisht. Ndërkohë, tash e disa ditë, Lëvizja feministë ka protestuar duke kërkuar largimin e profesorit të Fakultetit të Edukimit.