Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Dorek Chollet do të jetë për vizitë sot në Prishtinë, në përpjekje për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare.
Chollet gjatë vizitës në Kosovë do të takojë krerët e shtetit dhe kryetarët e partive opozitare.
Këshilltari amerikan me presdienten e vendit, Vjosa Osmani do të takohet në orën 13:30, ndërkaq Zyra për media e Kryeministrisë ka bërë të ditur se takimi ndërmjet Kurtit dhe Chollet do të mbahet në orën 14:30.
Këshilltari i lartë amerikan ditë më parë ka thënë se është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.i duke folur për vendosjen e barrikadave dhe më pas largimin e tyre.
“Gjatë javëve të fundit ka pasur fatkeqësisht një rritje të tensioneve mes tyre. Është një lajm i mirë që kemi parë të hiqen barrikada, kemi parë pikat kufitare të rihapen mes Kosovës dhe Serbisë. Janë lajme të mira. Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqendruar tek kjo krizë, por tek dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon”, tha ai.
Chollet në intervistën për Zërin e Amerikës theksoi se është e rëndësishme që të mos ketë më përsëritje të krizës.
“Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë.
Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik. Por, fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë. Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri”, ishte shprehur Chollet.
Në kuadër të vizitës së tij në Ballkan, Chollet do të qëndrojë në Shkup, Prishtinë dhe më pas Beograd.