KFOR-i amerikan kryen patrullime në veri: Ruajtja e infrastrukturës kritike siguron që Kosova të mbetet e sigurt për të gjithë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njofton ushtarët amerikanë kanë kryer sot patrullime edhe në këmbë në veri të Kosovës.
Tutje nga KFOR-i, theksojnë se ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje kryejnë patrullime rregullisht, përfshirë edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Misioni përmendi edhe ruajtjen e infrastrukturës kritike.
“Kryerja e patrullimeve dhe ruajtja e infrastrukturës kritike siguron që Kosova të mbetet një mjedis i sigurt për të gjithë.Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të tij për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i përsëriti se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.