Klinaku: Vushtrria me fat për investime në shëndetësi

Klinaku: Vushtrria me fat për investime në shëndetësi

Drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale në Vushtrri, Abdullah Klinaku, potencon se edhe përkundër punëve dhe angazhimeve që mund të bëhen në sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale ka edhe shumë sfida si rezultat i problemeve në funksionimin e tërësishëm të këtij sistemi. Këtë boshllëk institucional dhe financiar, Klinaku, është përpjekur ta plotësoi përmes donatorëve nga vende të ndryshme perëndimore e lindore. Ai në nie intervistë për Kosova Post ka potencuar se Kosova si vend ballkanik midis lindjes dhe perëndimit është me fat në mundësin e madhe të përfitimit të dyanshëm.

Kosova Post: Z. Klinaku, cilat është gjendja e shëndetësisë dhe ajo sociale në Komunën e Vushtrrisë?

Abdullah Klinaku: Gjendja e shëndetësisë dhe sociale në Komunën e Vushtrrisë si edhe në komuna të tjera është me sfida por që me prioritet jemi duke i zgjidhur. Sa i përket shëndetësisë që në fillim të mandatit i kemi përcaktuar prioritetet për avancimin dhe zhvillimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor – KPSH, në tri shtylla; mjekësi familjare, shëndet publik dhe përkujdesi shëndetësor në shtëpi. Në të tri shtyllat ka pas progres të dukshëm dhe konkret.

Ndërsa sa i përket çështjes sociale është shumë sfiduese, kemi rreth 1400 familje që marrin asistencë sociale në komunën tonë dhe për çdo vit kemi planifikuar subvencione për ndihmë familjeve në nevojë në vlerë rreth 50.000 euro. Prej të cilave kemi ndihmuar 24 familje me pagesën e qirasë mujore dhe rreth 200-250 familje më ndihmë financiare momentale për shkak të sëmundjes apo gjendjes së rëndë ekonomike. Këto tre vite kemi pas mbështetje të madhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe donatorët shqiptar vendor dhe ata të mërgatës. Si rezultat i këtij bashkëpunimi kemi ndërtuar mbi 10 shtëpi dhe kemi ndihmuar mbi 3.000 familje me ndihma të ndryshme ushqimore, vesh mbathje apo materiale të ndryshme për shtëpi. Unë dëshiroj ti falënderojë përzemërsisht këta donator, duke filluar nga Këshilli i Bashkësisë Islame- Vushtrri, shoqata “Bereqeti”, Human Appeal int. Patient Help Fund, Fondacioni i Rinisë Islame- Zvicër, donatorët e tjerë të komunës sonë qoftë me veprimtari në Kosovë qoftë në mergatë.

Kosova Post: Z. Klinaku, nëpër media dhe analiza të ndryshme viti 2016 ka qenë viti me investimet më të mëdha në shëndetësinë e Vushtrri, si e vlerësoni?
Abdullah Klinaku: Komuna e Vushtrrisë ka qenë me fat si përfituese e donacionit për investimin e Spitalit “Shejh Zaid” në Vushtrri. Në të njëjtën kohë, kemi qenë me fat që edhe këto vite të mandatit kemi pas mbështetje nga donatorët të ndryshëm në shëndetësinë e Vushtrrisë. Vitin e kaluar ri-nisi punën Spitali i Vushtrrisë, pas një donacioni për renovim dhe pajisje mjekësore moderne në vlerë rreth 7 milion euro. Po ashtu si Drejtori kemi qenë përfitues edhe të këtyre donacioneve; furnizim me pajisje mjekësore dhe material shpenzues në vlerë prej 450 mijë dollarësh nga Islamic Relief dhe Globbus Relief nga SHBA, furnizim me pajisje për persona me nevoja të veçanta në vlerë prej 70 mijë euro nga Suedia, ndërtim të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri në vlerë rreth 100 mijë euro, donacion nga Kuvajti, ndërtim të qendrës speciale për veprimtari ditore për fëmijë me nevoja të veçanta në vlerë rreth 90 mijë euro donacion nga kuvajti, furnizim me pajisje mjekësore dhe material shpenzues në vlerë rreth 9 mijë euro donacion nga projekti zviceran si dhe furnizim me shtretër dhe karroca nga Kryqi i Kuq – Vushtrri.

Në të njëjtën kohë këto ditë kemi nis projektin “Mjeku në shtëpi”, ku kemi pas mbështetjen e organizatës “Islamic Relief – Kosova” në vlerë prej 20 mijë euro. Ka dashtë Zoti kemi pas mbështetje nga shumë donatorë, mendoj që vlen të merret për model bashkëpunimi me organizata dhe shtete prej lindjes dhe perëndimit në funksion të rritjes së cilësisë për shërbime ndaj qytetarëve të komunës sonë.

Kosova Post: Projektin e fundit që e keni lansuar është “Mjeku në shtëpi” si do të organizohet ky projekt?

Abdullah Klinaku: E përmenda edhe më parë që synimi ynë ka qenë funksionalizimi i tre shtyllave të KPSH-së. Në fushën e rritjes së cilësisë së shërbimeve në mjekësinë familjare, për këto vite janë ndërtuar 6 objekte shëndetësore, përfshi edhe qendrën për fëmijë me nevoja të veçanta, janë rinovuar 7 objekte dhe jemi furnizuar me 3 automjete tereni dhe autoambulanca. Këto resurse besoj që janë një kapital i mirë për rritjen e cilësisë së shërbimeve. Në shtyllën e dytë, për herë të parë në komunën tonë janë realizuar vizita shëndetësore në shkolla për këto 3 vite radhazi, si pjesë e punës së shkëlqyer të shëndetit publik. Dhe shtylla e tretë që pas një përpjekje të madhe që kemi bërë këto kohë, kemi fituar mundësinë e realizimit të përkujdesit shëndetësor në shtëpi, përmes projektit “Mjeku në shtëpi”. Në këtë projekt jemi në bashkëfinancim dhe do të shërbejnë 8 punonjës shëndetësor. Vizitat do të organizohen në shtëpi. Dhe përfitues do të jenë, përkatësisht shfrytëzues të këtyre shërbimeve do të jenë gratë shtatzëna, lehonat, persona me nevoja të veçanta dhe kujdesi paliativ. Besoj që brenda dy muajsh do të përgatisim raportin e realizimit të projektit si fazë e parë dhe shpresoj që do të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm.

Kosova Post: Dhe në fund çfarë mund të na thoni për projektet e ardhme për këtë vit?

Abdullah Klinaku: Këtë vit jemi në përpjekje të përmbylljes së punëve të nisura. Presim që në muajin qershor ta lëshojmë në funksion objektin e katërtë shëndetësor në Vushtrri, po ashtu në muajin qershor/korrik ta funksionalizojmë qendrën speciale për fëmijë me nevoja të veçanta, pritet furnizimi me automjet për pacientët e hemodializës dhe presim që të kemi eventualisht përgjigje pozitive nga donatorët për ndërtimin e një qendre kryesore të mjekësisë familje në vlerë rreth 300-400 mijë euro në qytet.
Dashtë Zoti ti kryejmë edhe punët e mbetura dhe ta përmbyllim optimalisht suksesshëm përpjekjen tonë gjatë këtij mandati politik.