Finalja e edicionit të fundit të Ligës së Kampionëve do të mbahet mend për triumfin e 14-të të Real Madridit, por edhe problemet e ndodhura para fillimit të ndeshjes me tifozët e Liverpool-it. Tani, Jürgen Klopp konfirmoi se disa anëtarë të familjes së tij ishin kapur nga vala e tifozëve që donin të hynin në “Parc des Princes”.
Në një intervistë për mediat zyrtare të ‘të kuqve’, trajneri gjerman ka kujtuar atë që ka ndodhur më 28 maj. Ai nuk ka folur për humbjen 1-0 me “Los Blancos”, por për terrorin që kanë përjetuar disa nga të afërmit e tij për të hyrë në stadium. Në rrëfimin e tij, gjermani bëri të qartë se pakkush ishte me fat që nuk përfundoi në kaosin para finales së Ligës së Kampionëve (2021-2022):
“Unë takova vetëm disa, që ishin me fat. Të gjithë të tjerët që takova, përfshirë familjen time, patën zënka masive jashtë. Ishte i qartë organizimi shumë i dobët i finales. Organizatorët e ndeshjes nuk ishin gati për një ngjarje të atyre përmasave”.
Trajneri 55-vjeçar tha se familja e tij i dërgoi mesazhe se tashmë ishin brenda stadiumit, por e dinte se ato ishin gënjeshtra vetëm që të mos shqetësohej para fillimit të ndeshjes më të madhe të sezonit:
“Familja ime më dërgoi mesazhe para ndeshjes: Jemi në stadium, fat të mirë. Në fakt, nuk ndodhi kështu. Këtyre lloj gënjeshtrave të nevojshme ua kuptova thelbin pas ndeshjes, kur familja më tregoi tmerrin e përjetuar para stadiumit”.
Pasi analizoi atë që ndodhi në Paris, Jürgen Klopp konfirmoi se problemi më i vogël i asaj nate në kryeqytetin francez ishte humbja e ndeshjes kundër Real Madridit, pasi mundi të shihte se si gruaja e tij ishte strapacuar nga ajo që kishte ndodhur:
“Ne zhvilluam një festë të vogël për finalen. Në fakt, zonja ime nuk ishte gati për festën, ajo ishte ende e rraskapitur nga gjithçka rreth saj. Mendoj se të gjitha gjërat që ndodhën atje bënë të mundur që problemi më i vogël që patëm atë natë ishte se humbëm finale. Diçka e pabesueshme pas një finaleje të Ligës së Kampionëve”.
Tani, 40 ditë pas asaj nate makthi në Paris, trajneri po përgatit detajet e fundit për të përballuar sezonin e ri, ku Liverpool do të startojë si favorit për ta fituar titullin e Premier League.