Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke, një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me kolegët e forcave turke dhe forcave të tjera të 8 vendeve partnere është duke marrë pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise’23”, që mbahet në Kars të Türkiyes, shkruan në Facebook, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.
“FSK-ja është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi”, shkruan Mehaj.
Sipas tij, qëllimet e stërvitjes përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyç si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri.