Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sulmin e 24 shtatorit në veri të vendit ishte sulm terrorist dhe akt agresioni.
Në një intervistë për emisionin “Fokus” në Radio Kosovë, ai deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka qenë në dijeni për këtë sulm dhe se është tallje nëse mohohet kjo. Ndërsa sa i përket vazhdimit të dialogut, ai tha se formati i tij duhet të ndryshojë pas ngjarjeve të fundit.
“Ata i kanë shfrytëzuar pronat të cilat janë zyrtare të Ushtrisë së Serbisë. Është tallje mendoj, është tallje, me të gjitha këto informata dhe me karakterin shtetëror, edhe me informatat që i kanë edhe shërbimet e jashtme, që të thuhet se presidenti dhe figurat e larta të shtetit serb nuk e kanë ditë, përkundrazi qëndrojnë dhe janë të lidhur shumë ngushtë me këtë sulm”, tha ai.
Ngjarja e 24 shtatorit e ka kthyer prapa të gjithë procesin, deklaroi Kunjufca, duke theksuar se tashmë formati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshojë.


























