Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Konjufca tha se kjo datë shërben si dëshmi për vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për rrugën drejt familjes evropiane dhe mishërimin me vlerat demokratike që promovon ajo.
“Duke shprehur mirënjohje për organizimin e një pritjeje të tillë dhe duke theksuar se është viti i 16-të që Kosova shënon dhe feston Ditën e Evropës, kryetari Konjufca tha se kjo datë shërben si dëshmi për vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për rrugën drejt familjes evropiane dhe mishërimin me vlerat demokratike që promovon ajo”, thuhet në njoftim.
I pari i Kuvendi tha se këtë vit 9 maji është i veçantë pikërisht, për faktin se e gjen Kosovën më afër Evropës, si rezultat i fillimit të zbatimit të vendimin për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen, siç tha ai pas një procesi të stërzgjatur padrejtësisht.
Po ashtu, kryeparlamentari potencoi se Kosova ka shënuar një hap tjetër të suksesshëm në rrugëtimin e saj evropian, me rastin kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka thënë po anëtarësimit të Kosovës, duke përmbyllur kështu me sukses fazën e parë të anëtarësimit në këtë organizatë.
‘’Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbledhjen e Këshillit Ministror, ne besojmë që Kosova meriton dhe duhet të anëtarësohet pa kushtëzime shtesë, të jetë anëtarja më e re me të drejta të plota në Këshillin e Evropës’’, tha ndër të tjera Konjufca.
Konjufca potencoi se për Kosovën dhe gjithë rajonin anëtarësimi në Bashkimin Evropian është i rëndësisë, duke shtuar se përfitimet nga anëtarësimi janë të dyanshme.
‘’Më shumë paqe, siguri dhe prosperitet zhvillimor për Kosovën dhe rajonin do të thotë një Evropë më e fortë dhe më e sigurt’’, tha më tej Konjufca.
Ndryshe, Konjufca u ka uruar të gjithëve 9 majin, Ditën e Evropës, ku uroi një Evropë sa më të bashkuar me Kosovën pjesë integrale të saj.