Pretendimet se disa forca të brendshme dhe të jashtme “po i punojnë kundër” presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë gjë e re: kjo është një temë e përhershme e fjalimeve të Vuçiq që kur erdhi në pushtet, tha për RTK-në profesori i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe nënkryetari i qeverisë së kryeministrit Zoran Xhinqiq, Zharko Koraq.
“Sa do që mund t’i duket e çuditshme dikujt që nuk i njeh rrethanat politike në Serbi, ky narrativ është pjesë e mesazhit të Vuçiq që ai është një hero që lufton për Serbinë, pavarësisht të gjitha rreziqeve. Gjithsesi, të njëjtën gjë e përsërisin bashkëpunëtorët e tij të afërt në polici dhe në shërbimin e inteligjencës”, theksoi ai.
Duke komentuar konferencën e fundit për shtyp, ku presidenti serb deklaroi se “Serbia është e mirëpritur vetëm nëse është ekonomikisht e shkatërruar, politikisht e ndarë dhe me territore të ndara”, dhe se qëllimi është “fund i plotë dhe thelbësor i Serbisë”, profesori Koraq thotë se qytetarët e Serbisë, gjatë dymbëdhjetë viteve që presidenti Vuçiq është në pushtet, kurrë nuk kanë marrë një informacion konkret se për çfarë bëhet fjalë saktësisht, kush dhe pse dëshiron shkatërrimin e Serbisë dhe të presidentit të saj.
“Qytetarëve të Serbisë kurrë nuk u janë paraqitur rezultatet e hetimeve të komploteve të supozuara për të cilët flet Vuçiq”, kujton Koraq dhe shton se gjuha politike që imponojnë presidenti dhe përfaqësuesit e strukturës qeveritare në Serbi krijon një atmosferë shumë të rëndë politike në shoqëri, në të cilën çdo kritik mund të akuzohet se është komplotist, gjë që tashmë ka ndodhur.
“Jeta normale politike nuk është e mundur me teori të vazhdueshme konspiracioni, dhe një nga pasojat e një gjendje të tillë është edhe heshtja e pothuajse çdo kritiku të pushtetit”, thotë Koraq.
SULMI NDAJ “NËNAVE TË SREBRENICËS”
Sipas mendimit të profesorit të Fakultetit Filozofik të Beogradit, insistimi i javës së kaluar i presidentit Vuçiq për një komplot të përgjithshëm të supozuar kundër Serbisë ishte motivuar nga komemoracioni i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
“Është e qartë, Vuçiq e ka përjetuar shumë rëndë votimin në OKB, me të cilin 11 korriku është shpallur Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Prandaj, kryetarja e Kuvendit Ana Brnabiq dhe ai kësaj here u hodhën në sulm edhe ndaj kryetares së shoqatës ‘Nënat e Srebrenicës’, duke interpretuar plotësisht gabimisht deklaratën e saj për të ardhmen e rajonit dhe përgjegjësinë për atë krim të tmerrshëm. Kjo u bë me qëllim që edhe Munira Subashiq të shtohej në personat që kërcënojnë Vuçiqin. Dhe kjo një ditë pas përkujtimit të gjenocidit në të cilin Subashiq humbi pjesën më të madhe të familjes së saj”, tha Koraq.
I pyetur se si i interpreton akuzat e presidentit Vuçiq se disa shtete të rajonit po punojnë për “sakatosjen morale të Serbisë”, profesori Koraq thotë se edhe këtë deklaratë duhet ta interpretojmë në kontekstin e komemoracionit në Srebrenicë.
“VERMAKTIZIMI I SERBISË”
Të rikujtojmë, presidenti Vuçiq së fundmi ka thënë se Serbia, qytetarët e saj, populli serb në tërësi dhe entiteti Republika Serbe kanë qenë të ekspozuar jo vetëm ndaj fyerjeve dhe të pavërtetave, por edhe kërcënimeve më të drejtpërdrejta.
“Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë, keni dëgjuar se Serbia po përgatitet për konflikte të reja ushtarake, se po armatoset, militarizohet dhe se është vetëm çështje kohe kur presidenti rus Putin do t’i japë urdhër kukullës së tij në Serbi, Aleksandar Vuçiq. Gjithashtu, në veprim është ajo që e kam quajtur sakatosje morale, përkatësisht vermahtizimi i Serbisë,” tha presidenti serb.
Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë dhe Hercegovinës, Zukan Helez, iu përgjigj, duke akuzuar presidentin Vuçiq se “në stilin e diktatorëve më të pamëshirshëm në botë” po destabilizon Bosnjën dhe Hercegovinën dhe po përpiqet që përmes “xhelatit të tij, presidentit ilegal të RS” Milorad Dodik, t’ia bashkëngjisë Serbisë një pjesë të Bosnjës dhe kështu të kontrollojë proceset në atë vend.
“Vuçiq njëkohësisht akuzon, siç e quan ai, ‘Sarajevën politike’, se po përpiqet të shkatërrojë Serbinë. Nuk janë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që kanë kryer gjenocid në asnjë qytet të Serbisë, avionët tanë nuk kanë bombarduar kurrë Beogradin, zyrtarët tanë të zgjedhur kurrë nuk kanë gjuajtur me snajper nga kodrat mbi Beograd ndaj qytetarëve të Beogradit, nuk kemi mbajtur Beogradin në rrethim për 1425 ditë, askush nga Bosnja nuk ka kaluar Drinën për të luftuar në Serbi,” tha ministri Helez.
GËNJESHTRA GRANDIOZE
Duke iu përgjigjur pyetjes se përse presidenti i Serbisë interpreton kështu faktet historike të njohura dhe pse akuzon shtetet e rajonit për atë që Serbia bën, profesori Zharko Koraq thotë se “Vuçiq në Serbi ka bërë rehabilitimin moral dhe politik të politikës së Slobodan Milosheviq”.
Kështu, Memorandumi i njohur i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), i botuar në shtator të vitit 1996, presidenti Vuçiq kohët e fundit e ka quajtur “akt pro-jugosllav”.
“Ai shprehu për herë të parë shqetësimin për diskriminimin e serbëve, ishte pak antikomunist, por ishte absolutisht akt pro-jugosllav. Nuk kishte asnjë Serbi të Madhe, asgjë të tillë,” tha presidenti serb.
Sipas mendimit të shumë autorëve, Memorandumi i SANU, bazuar në tezën e “kërcënimit të serbëve” në të gjitha republikat e ish-RSFJ-së, përbënte bazën teorike për ndërhyrjen e ardhshme ushtarake të Sllobodan Milosheviqit; për qëllimin e tij për të zgjidhur çështjen serbe duke krijuar një federatë sipas masës së Serbisë dhe serbëve ose një shtet kombëtar serb në territoret ku jetojnë serbët.
Edhe ish-presidenti i Serbisë, Ivan Stambolliq, në shtator të vitit 1999, një vit para se të vritej nga pjesëtarë të njësive speciale të MUP-it serb në Malin e Frushkës, të hidheshin në një gropë dhe të spërkateshin me gëlqere të gjallë, në emisionin “Aritmija” në RTV të Malit të Zi, përsëriti atë që kishte thënë disa vite më parë në librin “Rruga drejt humnerës”, të sociologut Sllobodan Iniq.
“Memorandumi i SANU ishte një In Memoriam për Jugosllavinë!”
Presidenti Vuçiq iu referua edhe rolit të tij gjatë luftërave të viteve 90-ta.
“Dymbëdhjetë vite kam dëgjuar se kam vrarë njerëz me snajper rreth Sarajevës, dhe kurrë në jetën time nuk kam mbajtur një snajper në dorë. Dymbëdhjetë vite pyes pse gënjeni, njerëz, dhe ata dymbëdhjetë vite përsërisin të njëjtën gjë”.
Presidenti i Partisë Radikale Serbe dhe “babai politik” i Aleksandar Vuçiq, Vojislav Sheshel, në prill të vitit 2015, pas kthimit nga Haga, në një intervistë për magazinën sarajevase DANI, autores së këtij teksti i zbuloi nga kush ka mësuar “shkollën” e luftës i riu Aleksandar Vuçiq.
“Në fund, kush ka qenë në varrezat hebraike në Sarajevë në vitet 90-ta, me vojvodën çetnik Slavko Aleksiq? Po, Aleksandar Vuçiq. Nga varrezat hebraike, Vuçiq më vonë u dërgua në Pale për të ndihmuar në krijimin e televizionit serb”.
Varrezat hebraike në Sarajevë nga viti 1992 deri në 1995 ishin në vijën e parë të veprimeve ushtarake. Prej andej, forcat e kriminelit të luftës Ratko Mladiq gjuanin mbi qytetarët e Sarajevës.
SAKATOSJA MORALE
Edhe Vojisllav Sheshel, ashtu si edhe kriminelët e tjerë të dënuar të luftës, janë mysafirë të mirëpritur në mediat që kontrollohen nga regjimi në Serbi, kujton profesori Koraq.
“Ata jo vetëm që mohojnë krimet e kryera, por shpesh edhe i justifikojnë ato. Një nga mysafirët kryesorë të mediave të kontrolluara është gjenerali i dënuar nga Haga, Vlladimir Lazareviq, i cili madje pretendon se Serbia fitoi në luftën me NATO-n, dhe se NATO e fsheh atë, ashtu si edhe viktimat e saj. Nuk është çudi që çdo 11 korrik kjo gënjeshtër grandioze shtetërore përballet me të vërtetën e vërtetë për karakterin e politikës së Millosheviq, në të cilën Vuçiq ka marrë pjesë dhe kurrë nuk është distancuar qartë nga ajo”.
Në këtë kontekst, për profesorin Koraç, shprehja “sakatosje morale” ka një kuptim krejtësisht tjetër.
“Sakatosje morale është e vërteta për Srebrenicën dhe fakti që Vuçiq në Novi Beograd mbuloi emrin e rrugës me emrin e Zoran Gjingjiq me tabelën “Bulevardi Ratko Mlladiq”. Vuçiq nuk dëshiron që e vërteta për luftën e Millosheviqit të dëgjohet më shumë. Për Vuçiq, çështja e përgjegjësisë morale të shoqërisë serbe nuk duhet të shtrohet më, sepse, natyrisht, në fund të fundit ajo hap çështjen e përgjegjësisë morale të Vuçiq për gjithçka që ka ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 90-ta të shekullit XX,” përfundon Zharko Koraq.