Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Konferencën për prezantimin e shpalljes së aktivitetit të prokurimit (faza I/para kualifikimi) të projektit kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” të Termocentralit Kosova A, investim ky në vlerë 137 milionë euro.
Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë dhe rritjen e efikasitetit të kësaj njësie, duke kontribuar në forcimin e sigurisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik të Kosovës.
Në fjalën hapëse, kryeministri Kurti tha se është i lumtur që ndodhej në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për KEK-un, e cila do të mbahet mend një kohë të gjatë.
“KEK-u sot do të rehabilitojë njësinë A3 si asnjëherë më parë, duke paguar çdo cent nga fitimi i arritur për më pak se 4 vjet të Qeverisjes sonë dhe të udhëheqjes së re korporative. Me mbi 137 milionë euro, ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona, 4 dekada më parë. Ndërkohë, KEK-u po ripërtërihet me kuadro të reja, me fokus të veçantë tek prodhimi. Gjatë tri viteve të fundit, 745 punonjës të rinj, përfshirë 48 gra, janë punësuar në KEK e do të sigurohen që KEK të vazhdojë operimin”, tha kryeministri.
Ai renditi përfitimet e shumëfishta të këtij investimi kapital, më të madhin ndonjëherë në kapacitetet gjeneruese në KEK që prej ndërtimit të termocentraleve. Rehabilitimi dhe modernizimi që do t’ia zgjasë jetën njësisë A3 për 20 vjet, do t’i rrisë kapacitetin nga rreth 120–140 MW në 215 MW, shtojë orët e punës nga rreth 5400 orë në vit në 7700 orë në vit, dyfishojë prodhimin vjetor nga rreth 700 mijë MWh orë në 1.5 milionë MWh, si dhe përmirësojë efikasitetin mjedisor sepse A3-shi i rehabilituar do të përdorë gati 30% më pak thëngjill dhe me teknologjinë e standardet bashkëkohore, do të pakojë për mbi 50% dromcat, oksidet e azotit e dioksidin e sulfurit që nxjerr gjatë prodhimit.
Krahas këtij projekti, kryeministri theksoi se vendi po hedh hapa të mëdhenj në transicionin energjetik.
“Vetë KEK-u po ndërton parkun diellor me kapacitet 100 megavatë, përmes financimit që kemi siguruar si Qeveri. Ministria e Ekonomisë po zhvillon ankandin e dytë për energji të ripërtëritshme sërish 100 MW kësaj radhe nga era. Kurse kompanitë botërore janë ftuar të konkurrojnë për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive akumuluese, që ndërtohen me grantin 202 milionë dollarë nga ShBA dhe bashkëfinancim me qeverinë tonë, 34.7 milionë të tjera shtesë”, u shpreh ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Jam i lumtur që ndodhem në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për KEK-un, e cila do të mbahet mend një kohë të gjatë.
Do ta kujtojmë se sot ka qenë një ditë janari me mot relativisht të butë — dhe moti nuk është veç bisedë e lirë, por informatë e rëndësishme kur prodhojmë energjinë dhe sjellim nxehmjen në dimër.
Dyshoj nëse do ta kujtojmë se ka qenë e premte, se ndonëse shumica e mbyllin ditën e punës e nisin pushimin e fundjavës, termocentrali nuk pushon. Prej se ka hyrë në punë në vitin 1970, blloku A3 nuk ka ndalur prodhimin, përveçse për remonte dhe kujdesin e domosdoshëm për kapacitetin e prodhimit
Sot shënojmë fillimin e një projekti të jashtëzakonshëm të kujdesit për termocentralin Kosova A: rehabilitimi dhe modernizimi i bllokut A3 si dhe ripërcaktimi i qëllimit të KEK-ut për të ardhmen që na pret.
Republika e Kosovës ka miratuar një strategji ambicioze, e cila rrumbullakon trekëndëshin e sfidave që duhet baraspeshuar apo trilemën moderne të sektorit të energjisë: Në një kënd kemi sigurinë e furnizimit. Në një tjetër kemi përballueshmërinë e kostos. Dhe në të tretin kemi uljen e ndotjes dhe energjinë e pastër.
Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të A3-shit i shërben kësaj strategjie, duke përthekuar çdo cep të trilemës energjetike.
Ky investim non të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të përmirësojë efektshmërinë mjedisore të njësisë A3, e cila aktualisht prodhon një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike në Republikën tonë.
Përfitimet do të jenë të shumëfishta:
Po ia zgjasim jetën bllokut A3, për 20 vjet ose 150.000 orë pune, përmbi atyre 260 mijë orëve prodhimi që A3-shi ka shënuar prej se ka nisur punën mbi gjysmë shekulli më parë.
Po rrisim kapacitetin që sot sillet rreth 120–140 megavatë. Pas rehabilitimit e modernizimit, synojmë që kapaciteti i A3-shit do të arrijë në 215 megavatë.
Po rrisim disponueshmërinë kohore, duke shtuar orët e punës. A3-shi sot është në gatishmëri pune rreth 5400 orë në vit. Rehabilitimi e modernizimi do t’ia mundësojë të operojë për 7700 orë gjatë vitit, duke shtuar dukshëm kësisoj furnizimin me energji.
Po e dyfishojmë prodhimin vjetor. A3-shi prodhon sot rreth 700.000 megavatë orë. Pas rehabilitimit e modernizimit, do të arrijë në 1.500.000 megavatë orë. Po përmirësojmë efikasitetin mjedisor. Për të prodhuar një megavat orë energji, A3-shi sot konsumon rreth 1,5–1,6 tonë thëngjill. Pas rehabilitimit, do të nevojiten 1.15 tonë thëngjill. Për të njëjtën energji të prodhuar, pra A3-shi i rehabilituar do të përdorë gati 30 për qind më pak thëngjill. Dhe me teknologjinë e standardet bashkëkohore, do të pakësojë shumë herë në fakt (për 55–66 për qind) dromcat, oksidet e azotit e dioksidin e sulfurit të cilin e nxjerr gjatë prodhimit.
Kështu mjedisi ynë është më i mbrojtur dhe siguria jonë energjetike më e madhe, në një kohë kur Republika jonë po hedh hapa të mëdhenj në transicionin energjetik.
Vetë KEK-u po ndërton parkun diellor me kapacitet 100 megavatë, përmes financimit që kemi siguruar si Qeveri. Ministria e Ekonomisë po zhvillon ankandin e dytë për energji të ripërtëritshme sërish 100 megavatë kësaj radhe nga era. Kurse kompanitë botërore janë ftuar të konkurrojnë për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive akumuluese, që ndërtohen me grantin 202 milionë dollarë nga ShBA dhe bashkëfinancim me qeverinë tonë, 34.7 milionë të tjera shtesë.
Këto projekte të mëdha janë produkt i guximit tonë për të qeverisur drejt, duke ndjekur një vizion të qartë për të ardhmen tonë, duke vendosur politikat tona mbi studime të thella dhe praktikat të mira, dhe duke mbrojtur gjithherë pasurinë publike e interesin e përgjithshëm.
Dhe projekti i A3-shit, në veçanti, është produkt i strategjisë sonë të duhur për sektorin energjisë dhe i qeverisjes së pastër e të efektshme të Korporatës Energjetike.
KEK-u sot do të rehabilitojë njësinë A3 si asnjëherë më parë, duke paguar çdo cent nga fitimi i arritur për më pak se 4 vjet të Qeverisjes sonë dhe të udhëheqjes së re korporative. Me mbi 137 milionë euro, ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona, 4 dekada më parë. Ndërkohë, KEK-u po ripërtërihet me kuadro të reja, me fokus të veçantë tek prodhimi. Gjatë tri viteve të fundit, 745 punonjës të rinj, përfshirë 48 gra, janë punësuar në KEK e do të sigurohen që KEK të vazhdojë operimin.
Përsëris edhe një herë fjalët që i kam thënë para shumë kohe në një rast me punëtorët e KEK-ut,: «KEK-u është pasuri natyrore, KEK-u është kapacitet prodhues, dhe KEK-u është organizatë e punëtorëve». E të tria këto së bashku mund të na shpien larg, shumë larg përpara.
Projekti i sotëm është një hap i madh. Por më e madhe është e ardhmja, për të cilën KEK-u dhe Kosova janë të përgatitur mirë.
Falënderoj punonjësit, menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, USAID-in për përkrahjen teknike dhe të gjithë që kanë kontribuuar që të fillojë ky projekt.
Urime të gjithëve!