Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të organizojë dy nga ngjarjet më prestigjioze të basketbollit evropian, duke vendosur vendin tonë në një skenë të lartë sportive dhe diplomatike ndërkombëtare.
Për herë të parë, në bashkëpunim me FIBA Evropën, FBK do të jetë nikoqire e FIBA Europe U14 Get-Together dhe takimit të Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës (FIBA Europe Youth Commission). Të dyja ngjarjet do të mbahen në Prishtinë, nga 17 deri më 19 tetor 2025.
Në kryeqytet pritet të vijnë rreth 80 trajnerë nga i gjithë kontinenti, të cilët do të ndjekin ligjërata nga figura të njohura të basketbollit evropian. Po ashtu, Kosova do të mirëpresë drejtuesit më të lartë të basketbollit evropian, përfshirë Jose Garbajosën, kryetarin e FIBA Evropës, dhe Kamil Novakun, drejtor ekzekutiv të FIBA Evropës.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, që është edhe nënkryetar i këtij Komisioni, do të përfaqësojë Kosovën me dinjitet si nikoqir i forumit, ndërsa sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, theksoi se ky organizim është shumë më tepër sesa një aktivitet sportiv, duke e quajtur atë një mesazh të fuqishëm për pozitën e Kosovës në familjen evropiane të basketbollit.
Ky organizim shihet si një dëshmi e përkushtimit për të ngritur basketbollin kosovar në një nivel të ri dhe për ta përdorur sportin si një urë diplomatike për integrimin ndërkombëtar./rtk


























