Kosova shtet donator në IDA, Murati e cilëson moment historik

Kosova ka arritur ta marrë titullin e një shteti donator, krahas shtetit përfitues siç ka qenë deri më tani në raport me Shoqatën Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA), pjesë e Bankës Botërore.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve,  Hekuran Murati, në një konferencë të përbashkët me zëvendës-presidentin e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e ka cilësuar moment historik ngjarjen.

Duke qenë se Kosova është anëtare qe 15 vjet e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, ai e ka cilësuar institucionin si mbështetësin me vëllimin më të madh.

“Kontratat e nënshkruara dhe të ratifikuara deri më tani janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro. Është mbështetje substanciale dhe kemi marrëveshje të tjera që janë ose do të nënshkruhen siç janë ajo për tregti dhe transport; kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor, që është nënshkruar dhe pret për ratifikim në Kuvend; projektin për mbështetjen e edukimit të hershëm të fëmijëve dhe shtimin e çerdheve; projekti për zhvillimin e sektorit financiar ku përfshihet edhe mbështetja e Republikës së Kosovës në themelimin e Bankës Zhvillimore dhe marrëveshjen e financimit për politika zhvillimore, në vlerë mbi 90 milionë euro”, ka thënë Murati.

Ndërkaq zëvendës-presidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, ka thënë se Kosova ka dhënë mesazhin e ndihmës ndaj shteteve tjera dhe zhvillimit ekonomik, veçmas në kohën e krizës globale.

“Kosova ka marrë këtë vendim shumë të rëndësishëm që të ndihmojë vendet e varfëra në botë. Përkundër luftës që ka qenë këtu, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA tregon një rezistencë të jashtëzakonshme, tregon një simbolikë”, ka thënë Akihiko Nishio.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika