Pas raportimit për përhapjen e një sëmundjeje të shpezëve në Brazil, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ngritur masat e kontrollit.
Nga kjo agjenci kanë përjashtuar mundësinë e përhapjes së kësaj sëmundjeje në Kosovë. Ndërkaq, nga Dogana thonë se vetëm sivjet, janë importuar rreth 14 milionë kilogramë mish nga Brazili.
Masat në kufi janë shtuar. Të gjitha produktet e shpezëve që po vijnë nga Brazili po kontrollohen detajisht.
Kjo pas shpërthimit të një infeksioni në Brazil, i cili thuhet se nuk rrezikon qytetarët, por përbën rrezik të madh për fermat.
Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë tha për RTK se masat janë ndërmarrë me kohë, derisa përjashton çdo mundësi që sëmundja të vijë edhe në Kosovë.
Nga Dogana e Kosovës i thanë RTK-së se nga 1 janari i këtij viti e deri më 22 korrik, nga Brazili janë importuar rreth 14 milionë kilogramë mish, në vlerë mbi 37 milionë e 306 euro.
Ndërkaq, pasi disa herë ka pasur raportime për dyshime rreth cilësisë së mishit nga Brazili, qytetarët thonë se nuk po blejnë më produkte të këtij shteti.
Megjithëse nga organizata “Konsumatori” shprehen se mishi i Brazilit është i sigurt për konsum.
Brazili tashmë ka suspenduar përkohësisht certifikimin për eksportet e mishit të shpendëve dhe produkteve të tij.