Kosova synon të bëhet qendër rajonale për zhvillim të sektorit të teknologjisë informative

Kosova synon të bëhet qendër rajonale për zhvillim të sektorit të teknologjisë informative

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti në takim Sekretarin e Përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë, Ioannis Brachos, i shoqëruar me një delegacion të shtetit grek.

Në takim u diskutuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve, rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjes së shkëmbimit tregtarë dhe shkëmbimit të përvojave të mira në fushën e zhvillimit ekonomik.

Ministri Lluka, me këtë rast njoftoi delegacioni grek me zhvillimet ekonomike në vendin tonë, projektet kapitale dhe synimet e Kosovës për krijimin e klimës për  tërheqjen e investitorëve të huaj, e sidomos në fushën e IT-së, energjisë dhe metalurgjisë.

Siç thuhet në njoftim, po ashtu i pari i MZHE-së, foli për rëndësinë e Agjendës së Konektivitetit në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt krijimit të një zone të përbashkët ekonomike.

Ministri Lluka njoftoi delegacionin e shtetit grek për projektin e parkut inovativ në Prizren. “Kosova synon të bëhet qendër rajonale për zhvillim të sektorit të teknologjisë informative”, tha ministri Lluka duke premtuar se bizneset kosovare do të jenë prezentë në Forumin Ekonomik që do të mbahet në Athinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Në anën tjetër, Sekretari grek për çështje ekonomike Brachos, duke falënderuar Ministrin Lluka për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, tha se Greqia është e gatshme të ngritë në një nivel më të lartë bashkëpunimin ndërshtetëror për të gjitha çështjet të cilat do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

“Ne jemi këtu për të parë mundësit e rritjes së bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve. Ne duam që bashkëpunimi i deritashëm të shkoj në një nivel tjetër që do të rriste shkëmbimin tregtarë të dy vendeve, do të shkëmbinim përvojat e mira ekonomik dhe të rrisim investimet e dyanshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë, Ioannis Brachos

Ministri shfrytëzoi rastin të falënderoj ambasadoren e deritanishme greke, Constantina Athanassiadou për bashkëpunimin dhe t’i ofron bashkëpunim ambasadores së re greke në Prishtinë, Chryssoula Aliferi, që po shoqëronin në takim Sekretarin e Përgjithshëm për çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe bashkëpunim për zhvillim në Ministrinë e Punës së Jashtme të Greqisë, Ioannis Brachos.​