Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 1500 aplikime deri pasditen e sotme, nga qytetarë jashtë Kosovës, për t’u regjistruar si votues të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, ka thënë se kjo shifër nuk është finale pasi kohë pas kohe pranojnë aplikime nga diaspora.
”Para pak orëve, në ora 16:00 patëm një mbledhje si KQZ dhe u bënë të ditura shifrat e para sa i përket numrit të aplikacioneve që janë pranuar nga jashtë vendi, për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës. Janë diku 1500 emaile që kemi pranuar, dhe ato do të shqyrtohen për të ditur saktë numrin e aplikimeve. Ky numër ndryshon kohë pas kohe për faktin se përmes emaileve presim vazhdimisht aplikacione”, tha Elezi për Info Magazine.
Ai tha se qëllimi i vendimit të KQZ është për të verifikuar nëse prapa aplikimit është një aplikues i vërtetë dhe jo një person tjetër.
”Procesi është më sfidues sepse do duhen të bëhen mijëra telefonata për të bërë konfirmime. Janë tetë ditë”, tha ai.
Elezi gjithashtu bëri të ditur se ditëve në vazhdim do të organizojnë një aktivitet ku do të shohin nga afër procedurën e kontaktimit të aplikuesve të diasporës, për verifikim përmes telefonit, njofton Klan Kosova.
”Nesër dhe pasnesër më së largu po shpresoj që organizojmë një aktivitet së bashku me mediat, për të vizituar shërbimin votues të KQZ-së për të parë nga afër pranimin e aplikacioneve nga jashtë vendit dhe kontaktimin e aplikuesve që do t’ju shërbejë transparencës së institucionit”, shtoi Elezi.