Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai, në selinë e zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Shkup ka takuar ambasadorin evropian në vend, David Gir, transmeton KosovaPost.
Në një njoftim nga BFI thuhet se Fetai në takim ka falënderuar ambasadorin evropian për “pritjen e ngrohtë” dhe se në emër të BFI-së ka shprehur “shqetësimin e madh” për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
“Bashkërisht dënuan thellë këtë agresion antinjerëzor që po rrezikon paqen, jo vetëm në rajon por edhe në tërë globin. Kreu i BFI-së po ashtu përshëndeti unitetin e BE-së dhe SHBA-së në përpjekjet e tyre maksimale për të ndaluar këtë agresion, që po rrezikon jetën njerëzore”, tha BFI.
Më tej në njoftim thuhet se të dyja palët u dakorduan që të vazhdojnë kontributin në evitimin e pandemisë COVID-19, si dhe realizimin sa më të lartë të vaksinimit të popullatës, që është “e vetmja rrugë për imunizimin e shoqërisë dhe asgjësim e kësaj të keqeje që po e shqetëson botën”.
Fetai po ashtu deklaroi se kultivimi i paqes në vend dhe rajon është prioritet i institucionit të BFI-së, andaj kërkoi nga besimtarët dhe nëpunësit fetarë që të kenë kujdes në deklarata dhe qëndrime që dëmtojnë paqen dhe në të njëjtën kohë të japim kontribut në këtë drejtim./AA