Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi në Serbi, Dragan Gjilas, tha se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka shkuar një hap më tej në mbështetjen e grupit të organizuar kriminal që udhëheq Serbinë.
“Në dhjetor, Hilli heshti për vjedhjen e votave, presionin ndaj votuesve, numrin e madh të votuesve me vendbanim të rremë. Ai deklaroi se mezi pret vazhdimin e bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiqin dhe i tha opozitës që të heqë dorë nga lufta dhe të ulet në shtëpi. Ai kaloi muajt në vijim për të bindur një pjesë të opozitës që të marrë pjesë në zgjedhjet e përsëritura të vjedhura në Beograd”, tha lideri i opozitës në Serbi.
Tani, në muajin qershor, siç thuhet në njoftim, ai shkoi një hap më tej në mbështetje të grupit të organizuar kriminal që udhëheq me Serbinë, raporton N1.
“Tani ai thotë se nuk është i rëndësishëm mendimi i vëzhguesve nga misioni i ODIHR-it, të cilët përmendën një sërë parregullsish. Ai nuk përmend se në zgjedhjet e Beogradit dolën 210 mijë votues më pak se në muajin dhjetor, se tre nga katër partitë më të mëdha opozitare nuk morën pjesë, se asnjë nga rekomandimet kryesore të ODIHR-it nuk u zbatuan”, tha Gjilas.
Ai gjithashtu shton “pa asnjë turp thotë se ka pasur më pak probleme se në muajin dhjetor, edhe pse të gjithë kanë parë presione edhe më të mëdha, rrahje të aktivistëve të opozitës dhe shkelje brutale të ligjit nga mediat e Vuçiqit, redaktorët e së cilës filluan të rrahin edhe gazetarët. Ai nuk dëgjoi as retorikën antievropiane dhe as antiamerikane të Aleksandër Vuçiqit, për të cilin thotë se është një partner i besueshëm i Amerikës”.
Gjilas gjithashtu pohoi se le të supozojmë se diplomati amerikan nuk vuri re asgjë nga këto, por si nuk e pa “Milorad Dodik, banor i Laktashit”, duke votuar në zgjedhjet lokale në Beograd.
Ndryshe, organizatat ndërkombëtare kanë evidentuar edhe gjatë ripërsëritjes së zgjedhjeve në disa komuna – blerje votash, frikësim të votuesve dhe parregullsi të tjera.