Nga Kushtrim Bekteshi
Termi teori kritike filloi të përdoret gjatë viteve 30-ta të shekullit të kaluar dhe shenjoi pikëpamjet e disa autorëve (filozofë e studiues socialë) të cilët e grupuan në një institucion mjaft të njohur per idetë e tij ‘’instituti për studime sociale’’ i cili për shkak të vendit ku u themelua dhe ushtroi veprimtarinë e tij u quajt edhe ‘’Shkolla e Frankfurtit’’.
Këta autorë kishin qenë të pakënaqur me gjendjen e teorisë marksiste , veçanarisht tendencën e saj drejt “determinizmit ekonomik”. Deri tek themelimi i këtij instituti erdhi pasi në vitin 1922 u mbajt java e parë e punës për çështje të marksizmit. Iniciatori kryesor për formimin e këtij grupi ishte Feliks Vajl i cili dha idenë për formimin e një instituti i cili do të merrej me historinë e lëvizjes punëtore dhe çështje të zhvillimit të shoqërisë moderne.
Teoria kritike prodhoi shumë kritika në shumë dimesnsione, por edhe vetë u kritikua jo pak. Ndër kritikat e para që mori ishte ajo mbi ahistoricizmin e sajduke shqyrtuar një shumëllojshmëri çështjesh pa u kushtuar rëndësi rrethanave në të cilat është shfaqur dhe është zhvilluar një fenomen i caktuar p.sh nazizmi gjatë viteve 30-të apo edhe revoltat e studentëve gjatë viteve 60-të. Një teori marksiste duhet të jetë historike dhe krahasore, andaj një kritikë e tillë duket tejet e rëndë. Kjo kritikë natyrisht se duket e rëndë për faktin se “nuk guxon” që një teori neo-marksiste të anashkaloj aspektin kohor. Teoria kritike mbi këtë bazë është kritikuar gjërë e gjatë për faktin se për shumë fenomene sociale të trajtuara nga ajo nuk e ka marrë aspak për bazë faktorin kohë. Çështje tjetër ku u aderesuan kritika ndaj Shkollës së Frankfurtit ishte edheanashkalimi i faktorëve ekonomikë. Gjithsesi që teoricienët kritikë ishin neomarksistë, mirëpo ata ishin të pakënaqur me gjendjen e teorisë marksiste duke thënë se ajo është tejet e fokusuar mbi determinizmin ekonomik dhe nuk po përqndrohet në aspekte tjera të jetës sociale. Mirëpo siç duket frankfurtasit bënë edhe vetë një gabim të tillë duke shqyrtuar shumë aspekte të jetës sociale, por në të njejtën kohë anashkaluan në masë të madhe faktorët ekonomikë. Në një pikë tjeter ku frankfurtistët shfaqen kontradiktor me teorinë marksiste ishte edhe ajo se tentuan të argumentojnë se klasa punëtore ka rreshtur së qeni një forcë revolucionare, ndërkohë që dihet, se si vetë Marksi e shihte këtë klasë. Duke marrë për bazë gjithë këto kritika Bottomore arriti në përfundimin se në formën e saj origjinale dhe si shkollë e marksizmit , Shkolla e Frankfurtit ka humbur rëndësinë e saj dhe nuk është më funksionale. Mendim të njejtë lidhur me këtë çështje shprehu edhe Greisman i cili e ka quajtur teorinë kritike ‘’një paradigm të dështuar’’.
Kritika të shumta ndaj shkollës së Frankfurtit u drejtuan edhe rreth mënyrës së trajtimit të konceptit të arsyes. Habermasi e konsideron si arsye cinike arsyen postmoderne për shkak se ajo vë në dyshim gjithçka në racionalitetin perëndimor dhe përdorjes së një ironie destructive në vend të kritikës së argumentuar. Një nga kritikat më të ashpra të Habermasit drejtuar postmodernëve është se ata në të shumtën e rasteve nuk janë miq të argumenteve filozofike. Habermasi thotë se postmodernët e sidomos Derrida nuk arrijnë të dallojnë funksionin poetik dhe prozaik të gjuhës. Kjo sipas tij bën që postmodernët të zhvillojnë e analizojnë diskutimet në gjuhën poetike duke mos ofruar një bazë më të mirë konceptuale. Por filozofi pragmatist Rorti thotë se të filozofuarit e Derridës dhe Habermasit nuk janë në kundërshtim me njëra tjetrën, për më tepër ato e përplotësojnë njëra-tjetrën, por që vijnë nga mënyra të ndryshme të kuptuarit të filozofisë. Sipas Habermasit, pasuesit e Niçes dhe Hajdegerit i drejtojnë përpjekjet e tyre teorike më tepër në një thellim brenda subjektit në vend se të orientohen në një këndvështrim public të filozofisë. Kurt Salamun nga ana tjetër sheh se njëra nag mangësitë më të mëdha të Teorisë Kritike është fakti që përfaqsuesit e saj kanë tendencën për tëparaqitur një prespektivë totale ku shumë herë bëjne përgjithësime të gabuara për fenomene të veçanta. Një kritikë tjetër që i bëhet kësaj shkolle e në veçanti dy përfaqsuesve të saj Marcuse e Adorno është se shpesh kjo teori jep zgjithje racionale utopike. Kjo gjë tek Marcuse vërehet sidomos kur ai flet për një shoqëri të çliruar nga represionet mendore, një tip të ri të njeriut krijues, i cili ka strukturë krejt tjetër të nevojave jo sikur ato që ka sot e që janë të manipuluara, që është i lirë prej shtrëngimeve shoqërore dhe një sërë çështjesh të tjera për të cilat Salamun mendon se janë paraqitur me një dozë të lartë utopizmi. Kurse për irrealtitetin e idealeve utopike të Adornos, Friedrich Tomberg thotë se ajo është një botë e lumturisë pa pushtete, një botë e pagës pa punë, e atdheut, por pa kufij, e besimit fetar pa mite. Në këtë botë të Adornos dhuna është hequr dhe mendimi është çliruar prej sundimit. Pra kjo botë materialisht nuk mund të ekzistojë kurrë, vetëm mund të përfytyrohet idealisht, një botë e cila mund të mendohet vetëm si pasojë e ndikimit të filozofisë së idealizmit gjerman.
Një kritikë tjetër e cila i është drejtuar frankfurtistëve është edhe ajo se fenomenet e sundimit, reoresionit dhe manipulimit për të cilat ata flasin nuk janë shpjeguar në mënyrë të detajuar.Në asnjë rast nuk përmenden qartas personat ose grupet shoqërore të cilat janë përgjegjëse në këtë shoqëri për format e sundimit, mungesës së lirisë dhe manipulimit, por ata mjaftohen vetëm duke pëmendur faktorë si ‘’racionaliteti teknologjik’’, ‘’forcat’’, ‘’interesat’’ etj. si kushtëzues për sundimin e shoqërisë së zhvilluar industriale, por pa shpjeguar në mënyrë të qartë kush fshihet pas tyre. Studiuesja Hauke Brunkhorst ishte e mendimit se arsyeja instrumentale është vlerësuar në mënyrë të njëanëshme nga frankfurtistët e hershëm dhe është nënvlerësuar roli i saj në përmirësimin e standardit të jetës së njerëzve. Pra, këto ishin disa prej kritikave më të zëshme që iu drejtuan Shkollës së Frankfurtit, përkatësisht Institutit për Kërkime Sociale.