Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, të dielën bëri thirrje që përpjekjet për Gazën të bazohen në planin e Egjiptit, thanë burime diplomatike.
Plani i Egjiptit për Gazën, i cili mbështetet nga të gjithë anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), ofron një kuadër konstruktiv, tha Fidan në adresimin e tij gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Gazën të OBI dhe Ligës Arabe në kryeqytetin egjiptian, Kajro, shtuan burimet.
Duke theksuar se gjenocidi, zhvendosja e detyruar dhe aparteidi vazhdojnë ende në Gaza gjatë zhvillimit të këtij takimi, Fidan tha se sulmet ajrore izraelite më 18 mars treguan se Izraeli ka një axhendë më të gjerë.
Ai theksoi se parandalimi i ndihmave humanitare dhe shënjestrimi i territoreve siriane dhe libaneze janë tregues të këmbënguljes së Izraelit në këtë politikë ekspansioniste.
“Paqja nuk është e mundur në rajon pa ndalur Izraelin. Qëllimi ynë kryesor duhet të jetë ndalimi i shkatërrimit në Gaza dhe arritja e një armëpushimi të përhershëm. Duhet rritur presioni mbi Izraelin”, tha Fidan.
Ai shtoi se platforma si OKB-ja duhet të shfrytëzohen për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm.
Më 4 mars, një samit emergjent arab në Kajro miratoi planin e Egjiptit prej 53 miliardë dollarësh për rindërtimin e Rripit të Gazës pa zhvendosur palestinezët nga toka e tyre.
Propozimi arab erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump kishte paraqitur planin e tij për të “marrë nën kontroll” Gazën dhe për t’i zhvendosur palestinezët, duke e zhvilluar atë në atë që e quajti “Riviera e Lindjes së Mesme”.
Plani u refuzua nga bota arabe dhe shumë kombe të tjera, të cilët e cilësuan atë si spastrim etnik./AA