Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla i ka bërë thirrje diasporës që të marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Përmes një videoje Gërvalla bën me dije se 600 mijë qytetarë të Kosovës anëkënd botës kanë shfrytëzuar mundësinë për t’u regjistruar, por që sipas saj numri i qytetarëve në diasporë është më i madh.
“Duke e ditur që numri i qytetarëve tanë jashtë vendit është shumë më i madh, ju inkurajojmë që ju dhe familjet tuaja të regjistroheni sa më parë përmes platformës ‘E-Diaspora’. Regjistrimi nuk zgjat më shumë se 10 minuta”, shprehet Gërvalla.
Ndryshe, procesi i regjistrimit të qytetarëve jashtë vendit do të vazhdojë deri më 31 gusht.