Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministren e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i kanë takuar dhe kanë bashkëbiseduar me grupin prej 50 ndërmarrësish të rinj nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Postimi i plotë:
Mirëprita sot në takim një grup prej 50 ndërmarrësish të rinj nga Gjermania. Bashkë me ministren e Ekonomisë, znj.Artane Rizvanolli dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari i informuam për mundësitë e mira të krijuara në Kosovë për ata që duan të investojnë.
Afaristët gjermanë i sigurova se indikatorët e mirë ekonomikë janë siguri se investimi i tyre dhe biznesi i tyre do të kënë sukses të qëndrueshëm.
Krahasuar me vitin 2020, kemi pasur rritje të investimeve të huaja direkte prej 22%. E rritja e investimeve kapitale në vitin 2021, krahasuar me vitin para atij, pra 2020, ishte 10.3%.
Këta indikatorë pozitiv rrjedhin nga faktorë të ndryshëm, por sidomos nga një ambient miqësor për bizneset dhe i një popullate e cila është mesatarisht shumë e re krahasuar me vendet tjera në rajon, e sidomos me Evropën.
Ndërmarrësit e rinj u interesuan për kushtet e punës në Kosovë dhe për potencialin e saj punëtor. Nga bisedat me ta kuptova që gjatë tri ditëve të qëndrimit në Kosovë u kishte lënë mbresa rinia jonë mikpritëse dhe komunikative.
Gjallëria e potenciali rinor, krahas me kushtet e reja të cilat po i krijojmë e zhvillimin ekonomik që ka marrë hov, janë ftesa të sinqerta për investime serioze./KosovaPost/