Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shpeshtuar takimet me sportistët e vendit. Pasi ka takuar basketbollistët e Trepçës, ai ka pritur edhe kampionin e Kosovës në futboll, KF Ballkanin.
I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku kanë pritur drejtuesit e Ballkanit, por edhe futbollistët dhe stafin teknik.
Vlen të përmendet se për sportin, në veçanti për futbollin është bërë shumë pak nga Qeveria e Kosovës, pasi për momentin vetëm stadiumi ‘Fadil Vokrri’ i plotëson kushtet për tu zhvilluar ndeshje evropiane, derisa nga muaji korrik 4 skuadra kosovare do të luajnë në garat e ndryshme si Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës.
Ka në disa qytete si Gjilani, Gjakova, Prizreni, Peja që janë nisur renovimet e stadiumit, por aty thuajse nuk është punuar fare dhe për më keq stadiumi në Gjilani është pezulluar tenderimi.
Postimi i plotë nga Albin Kurti (pa ndërhyrje):
Qeveria është e hapur për KF Ballkanin.
Tre vjet rresht, tre herë kampion në Superligën e futbollit në Republikën e Kosovës, ndërkaq sivjet për herë të parë edhe fitues i Kupës së Kosovës.
Ky sukses i jashtëzakonshëm shkon për klubin futbollistik KF Ballkani nga qyteti i Suharekës, që pa dyshim është shndërruar në qytet të sportit.
Me gjithë këto suksese, me pjesëmarrje edhe në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve, me shumë lojtarë që nga ky klub tash janë pjesë e shumë ekipeve të njohura në Evropë e më gjerë, e ardhmja e kampionit aktual të futbollit në Kosovë është pa dyshim edhe me më shumë suksese.
Ju faleminderit për emocionet e festat këtë stinor. Faleminderit edhe për dhuratën e veçantë, topin e futbollit me nënshkrimet e futbollistëve kampion, me të cilin Ballkani e filloi ndeshjen historike në pjesëmarrjen e parë të ndonjë klubi vendor në Ligën e Konferencës.