Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nesër për 28 nëntor, do të vizitojë Vlorën, ku do të bëjë homazhe dhe nderim dëshmorëve e heronjëve që sakrifikuan jetën e tyre për liri.
I pyetur nëse do të ketë mbledhje mes dy qeverive, Kurti tha se do të ketë në të ardhmen, porse nuk dihet koha se kur.
“Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatese. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për panumër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar. Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, tha ai.
I pyetur nëse do të ketë takim nesër me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, apo edhe presidentin, Kurti nuk ka komentuar një gjë të tillë.
Këto komente, Kurti i bëri pas pjesëmarjes në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë-Shqipëri që u mbajt në Gjakovë./KP