Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtorin e Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”, Zijad Mehić, së bashku me drejtorin e Art Image, Ilir Bytyqi, dhe koordinatoren Valentina Cenaj.
Në takim u diskutuan përgatitjet për edicionin e sivjetmë të festivalit, i cili do të mbahet nga data 18 deri më 24 maj në Prishtinë, me pjesëmarrje nga shtete të rajonit dhe më gjerë. U theksua rëndësia e këtij organizimi për zhvillimin e teatrit, promovimin e kulturës dhe forcimin e bashkëpunimit artistik ndërmjet vendeve të rajonit.
Ky vit shënon një jubile të rëndësishëm për festivalin – 10-vjetorin e themelimit – duke e konsoliduar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe në rajon.
Kryeministri vlerësoi kontributin e organizatorëve në ndërtimin e një platforme që jo vetëm afron artistët dhe profesionistët e teatrit nga rajoni, por krijon ura bashkëpunimi që e lidhin rajonin me skenën ndërkombëtare.
Në përmbyllje, u theksua se festivale të tilla janë dëshmi e fuqisë së kulturës për të tejkaluar kufijtë, për të nxitur dialogun dhe për të forcuar lidhjet mes shoqërive – fillimisht në rajon, e më pas edhe me botën.


























