Në tubim me elektoratin e vet në Skënderaj, Lëvizja Vetëvendosje me partnerët në koalicion, ka prezantuar planin qeverisës.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, tha se Skënderaj është komuna për të cilën qeveria aktuale ka ndarë më së shumti buxhet në formë të grantit.
Ndërsa me mandatin e ri tha se gjyshrëve do t’u ndahen nga 100 euro ndaras pensionit që marrin, teksa kujdesen për nipërit e mbesat.
“44% e kemi rritur buxhetin për vitin 2025, e për Skënderajn kemi ndarë 1 milion euro, që përbënë 19 milionë të të gjithë buxhetit të ndarë, pjesa dërrmuese është grant i qeverisë së Kosovës”, tha Kurti.
Ai tutje tha se gjatë këtij mandati e shpëtuan shtëpinë e kulturës në Skenderaj dhe investuan 120 mijë euro në shkolla.
“Kemi investuar edhe gjysmë milioni euro në ndërtimin e urave, derisa familjeve që iu vërshuan shtëpitë ua kemi ndarë mjetet në llogari të veta secilës familje, e jo siç ka kërkuar komuna. Së shpejti do të kompensojmë dëmet edhe të bizneset dhe bujqësia”, tha Kurti.
Kurti premtoi edhe 5 rezervare të ujit dhe çerdhe të re, për të cilën tha se kontrata nënshkruhet këtë muaj.
Ai ka përmendur edhe jetësimin e kompleksit historik në Prekaz, ndërsa tha se nëse ai do të udhëheqë qeverinë pas 9 shkurtit do të fillojë edhe restaurimi i kullave të rezistencës.