Në pikën kufitare në Merdare kanë arritur shtatë trupat dhe dy të tjerë të cilët janë ribashkim që i takojnë masakrës së kryer nga forcat serbe në Rezallë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ekzaminojë sërish këta trupa, e më pas do të organizohet ceremonia e varrimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kanë për detyrë që para Serbisë të këmbëngulin për drejtësi dhe të dihet për fatin e mbi 1600 personave.
“E madhe është dhimbja e kësaj dite, i dhimbshëm dhe i ftohtë ky ritakim i familjarëve. Nuk ka fjalë që mund të plotësojë boshllëkun për më te dashurit e juaj. Masakra në Rezallë është dëshmi e gjenocidit në Kosovë. Sot pas 22 vjetësh na u kthyen personat që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë”, ka thënë Kurti.
Ai tha se çështja e të zhdukurve është çështja e parë në raportin e Kosovës me Serbinë.
“Për këtë arsye të zhdukurit janë çështja e parë në raportin e Kosovës me Serbinë, për këtë arsye kemi insistuar në çdo takim për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për varrezat e tjera masive në Serbi. Qeveria jonë është duke ndërmarrë gjitha hapat për drejtësi për viktimat që në të ardhme të mos përsëriten kurrë këto krime”, ka shtuar ai.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se këta trupa po kthehen sërish në vendlindjen e tyre. Ai ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, që të tregojë për vendndodhjen e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ndërsa Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, tha se masakra e prillit 1999 rikthehet sot në kujtimet e tmerrshme me varrimin e shtatë trupave dhe dy ribashkimeve.kp