Presidenti i Asamblesë së Madhe Kombëtare (TBMM) të Turqisë, Mustafa Şentop, vizitoi qytetin e Shkodrës në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, transmeton Kosova Post.
Şentop vizitoi medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ku ndoqi programin e përgatitur nga nxënësit.
Në një fjalim para nxënësve dhe prindërve, Şentop tha se Turqia dhe Shqipëria kanë lidhje vëllazërore dhe miqësore.
Şentop e cilësoi Shkodrën si qytet të bukur, ndërsa për medresenë “Haxhi Sheh Shamia” tha se është një shkollë me cilësi të lartë.
Ai falënderoi kryetarin dhe drejtuesit e Shoqatës Vëllazërore, Humanitare dhe Kulturore “Istanbul” me qendër në Shkodër për aktivitetet që nga viti 1999 dhe realizuesit e idesë së medresesë.
Şentop përmendi edhe ndihmat që Turqia ka ofruar për botën dhe vendet e Ballkanit gjatë pandemisë me pajisje mjekësore.
“Në këtë kontekst, gjatë pandemisë, lidhjet midis Shqipërisë dhe vendit tonë u zhvilluan tutje dhe kjo rritje vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojë në të ardhmen. Marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve kanë vazhduar të zhvillohen prej një kohe të gjatë. Siç e dini, në Turqi jetojnë shtetas me origjinë shqiptare aq sa ka shqiptarë në rajonin e Ballkanit. Kjo do të thotë se për shkak të lidhjeve tona historike, ne kemi arritur të bashkëjetojmë me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare, duke mbajtur gjallë kulturën e njëri-tjetrit në një mënyrë miqësore, dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Şentop.
Siç theksoi ai, vizitat e nivelit të lartë, aktivitetet e afaristëve nga Turqia, eksportet dhe importet e ndërsjella në rritje dhe aktivitetet e Institutit Yunus Emre dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) nxjerrin në pah një atmosferë miqësie që rritet ndërmjet dy vendeve.
“Turqia e sheh Shqipërinë si një vend me rëndësi strategjike në vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan. Andaj, ne besojmë se çdo bashkëpunim ndërmjet dy vendeve është i rëndësishëm”, deklaroi kryeparlamentari turk.
Ai rikujtoi se poeti kombëtar i Turqisë, Mehmet Akif Ersoy, arkitekti i Xhamisë së Sulltan Ahmetit, Sedefkar Mehmet Aga, dhe themeluesi dhe rektori i Universitetit të Stambollit, Hoxhë Tahsini, ishin me origjinë shqiptare.
“Nëse them se nga 215 sadrazamë të Perandorisë Osmane, që sundoi në tre kontinente për gjashtë shekuj, 35 ishin me origjinë shqiptare, atëherë mbase cilësia e lidhjeve midis dy vendeve mike, vëllazërisë dhe bashkëpunimit kuptohen më mirë”, tha Şentop.
Ai tha se Turqia gjithmonë do të jetë në vend që do t’i presë me dashuri dhe krahëhapur të gjithë të rinjtë që duan të studiojnë atje.
Şentop fali namazin e xhumasë në Xhaminë Qendrore të Shkodrës, ndërsa më pas mori pjesë në drekën e shtruar për nder të tij dhe delegacionit shoqërues nga Ilir Beqaj, kryetar i Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Shqipëri-Turqi.
Kryetari i parlamentit turk po ashtu vizitoi edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Memorialin e Hasan Riza Pashës dhe qendrën e Institutit Yunus Emre në Shkodër.(AA)