Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, priti sot në takim një delegacion nga Ambasada Britanike në Prishtinë, të udhëhequr nga Altina Besimi, zyrtare për Zbatim të Politikave – Sundim të Ligjit, transmeton KosovaPost.
Takimi u fokusua në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në kuadër të projektit katërvjeçar Judicial Integrity (Integriteti Gjyqësor), i cili së fundi ka marrë aprovimin për zbatim.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të pavarësisë së gjyqësorit nga ndikimet politike, rritjen e transparencës dhe qasjes së publikut në sistemin e drejtësisë, si dhe përmirësimin e llogaridhënies, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Kryetari Rexhepi falënderoi Qeverinë Britanike për mbështetjen e vazhdueshme dhe mirëpriti projektin e ri si një mundësi e rëndësishme për forcimin e sundimit të ligjit dhe besimit qytetar në drejtësi. Ai potencoi se fushat e parashikuara për bashkëpunim janë jetike për gjyqësorin në fazën aktuale të zhvillimit dhe reformave në Kosovë.


























