Organizuar nga dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së në Malishevë, sot u shënua 30 dhjetori – Dita e Veteranit.
Në këtë ngjarje të rëndësishme mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili vlerësoi lartë veprën dhe sakrificën e veteranëve të luftës së lavdishme të UÇK-së, luftë që solli lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Tubimin e hapi kryetari i veteranëve të Malishevës, Metush Kryeziu. Ai theksoi se megjithëse shumë veteranë jetojnë në kushte të rënda, krenaria dhe sakrifica e tyre mbeten të pashlyeshme. Kryeziu nënvizoi se asnjë situatë nuk mund të mohojë kontributin e jashtëzakonshëm të secilit veteran.
Kryetari Kastrati, duke iu drejtuar të pranishmëve, deklaroi: “Secili prej jush jeni kapitull i shtetësisë dhe pavarësisë. Kjo vlerë është forca më e madhe për të ruajtur shtetësinë”.
Ai shtoi se trashëgimia e veteranëve do të kujtohet me krenari brez pas brezi, duke e cilësuar atë si bazamentin e pashlyeshëm të shtetësisë. Në fjalën e tij, Kastrati ndau gjithashtu një moment personal, duke kujtuar periudhën kur ishte i burgosur gjatë luftës, dhe shprehu mirënjohje të përhershme ndaj veteranëve të UÇK-së për sakrificën e tyre, që ndikoi edhe në lirimin e tij të parakohshëm nga burgu.
Në përmbyllje të ceremonisë, dega e OVL të UÇK-së në Malishevë ndau rreth 130 mirënjohje për veteranët e luftës nga Komuna e Malishevës dhe për ata që kanë kontribuar në luftimet brenda territorit të kësaj komune, duke mbajtur gjallë kujtimin dhe respektin për luftën e lavdishme të UÇK-së.rtk.