Ka përfunduar raportimi me dyer të mbyllura i zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi. Ai nuk është deklaruar për media, por kryetarja e komisionit, Arbëreshë Hyseni-Kryeziu foli para mediave.
Kryetarja e Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se gjatë raportimit të mbyllur për media në Komisionin për punë të jashtme dhe diasporë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka shpalosur dokumente konfidenciale që lidhen me procesin e dialogut.
“Vetë fakti që kemi vendosur ta mbajmë një takim të mbyllur është se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente të cilat janë konfidenciale dhe nuk preferohet të ndahen me opinionin për shkak se procesi është shumë fraxhil në fazën që është”, ka theksuar Kryeziu-Hyseni, në një deklarim për media pas përfundimit të mbledhjes.
Ajo ka thënë se deputetët kanë marrë informacione, të cilat sipas saj kanë qenë të nevojshme sidomos për deputetët e opozitës, të cilët i ka abuzuar për deklarime të pavërteta për procesin e dialogut.
“Fokusi ynë ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në procesin e dialogut tash e tutje, kemi marrë informacione që besoj se kanë qenë shumë të nevojshme të ndahen në veçanti për deputetët e opozitës të cilët herë pas here i shohim që nxjerrin në opinionin publik informacione që janë krejtësisht të pavërteta, ky lloj raportimi ka ndihmuar që të paktën këtë të mos e bëjnë tash e tutje”, tha ajo.
Sipas aj, për të pasur lëvizje në procesin e dialogut, duhet të ketë lëvizje nga ana e Serbisë. “Në këtë mes duhet të ketë lëvizje edhe nga ana e Bashkimit Evropian në kuptimin e trajtimit të palëve barabartë të palëve, përderisa vazhdon stagnimi prej Serbisë, është e pamundur të ketë progres”, ka deklaruar ajo.
Kryeziu-Hyseni ka adresuar kritika ndaj opozitës, që sipas saj ajo ka qëllim të keqinformimit.