Dje gjatë ditës në veriun e Mitrovicës janë dëgjuar disa herë shpërthime të cilat dyshohet se kanë ndodhur afër zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, raporton KosovaPost.
Lidhur me rastin, ka pasur reagime të shumta duke mos munguar edhe nga kryeministri Kurti i cili tha se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.
Ndërsa, sot një reagim e ka bërë edhe zëdhenësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një statusi në Facebook. Ai tha se institucionet e vendit kanë treguar gatishmëri për të ofruar kushtet e nevojshme që të mbahen zgjedhjet në veri.
“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë.
Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre.
Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike.
Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë./KosovaPost/