Federata Spanjolle e Futbollit ka konfirmuar edhe stadiumin ku do të zhvillohet përballja ndaj Kosovës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në “Twitter”, bëhet me dije se ky takim është planifikuar të zhvillohet në stadiumin e Sevillas “La Cartuja”, ku u luajt pak ditë më parë edhe finalja e Superkupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Athletic Bilbao.
Më herët ishte përfolur se, sfida mes Spanjës dhe Kosovës të zhvillohet në një terren neutral për shkak të problemeve diplomatike, pasi Madridi nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
Por duket se palët kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe është vendosur që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e Sevillas.
Spanjë-Kosovë, e vlefshme për grupin B të eleminatoreve për Botërorin “Katar 2022”, është programuar për tu luajtur më 31 mars 2021.
Bashkë me Spanjën dhe Kosovën, në këtë grup bëjnë pjesë edhe Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia.