Në Muzeun Kombëtar të Kosovës u hap ekspozita “Kontributi atdhetar i familjes Lleshi” të autorëve Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, ekspozita që i kushtohet një familje që dha katër dëshmorë për lirinë e Kosovës. Në këtë ekspozitë ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se lufta e kësaj familje tregon se sa i i lartë ishte çmimi i lirisë.
Në 25-vjetorin e rënies heroike të Kolë dhe Mark Lleshit, kryeministri Kurti shprehu nderimet dhe kënaqësinë e tij në hapjen e ekspozitës, e cila shënon kontributin e kësaj familjeje në kryengritjet dhe luftërat tona çlirimtare.
“Pra, katër shtylla, katër dëshmorë, dëshmi e gjakut të derdhur për lirinë dhe për çlirimin e Kosovës, që na e kujton e na e përkujton se sa i madh ishte çmimi i lirisë që gëzojmë, i lirimit që u realizua dhe i shtetit e i pavarësisë sonë që i kanë rrënjët pikërisht në gjakun e dëshmorëve”, deklaroi kryeministri Kurti.
Shënime të tilla, sipas tij, nuk vlejnë vetëm për mësimin e historisë, por edhe për të mos e humbur asnjëherë rrugën drejt ardhmërisë së ndritshme të cilën na e kanë ndriçuar pikërisht dëshmorët e kombit të të gjitha luftërave, veçanërisht luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për hapjen e kësaj ekspozite, kryeministri Kurti përgëzoi Muzeun e Kosovës, autorët e ekspozitës dhe falënderoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke uruar që sa më shumë të kemi shënime të këtilla shumë të rëndësishme, përderisa lokën Hanë e falënderoi për qëndresën e saj.
Katër dëshmorë nga kjo familje, Mark Tunë Lleshi dhe Kolë Gjon Lleshi dhanë jetën në qëndresë kundër okupatorit më 7 gusht 1998, ndërsa pas pak muajsh, në 28 janar 1999, ranë në betejë edhe dy dëshmorë të tjerë nga kjo familje, vëllezërit, Prenë dhe Memë Lleshi.
Po nga kjo familje patriotike, Dedë Pashk Lleshi dha jetën në vitin 1944 duke luftuar okupatorët serbë, njofton Kryeministria.