Gjilani sot ishte destinacioni i Lëvizjes Vetëvendosje për shpalosjen e programit për zgjedhjet e 9 shkurtit. Para qytetarëve dhe mbështetësve të tij në Gjilan, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, e quajti Gjilanin “kryeqytet të Anamoravës” dhe “djep të rezistencës kombëtare për çlirim”.
“Uniteti kombëtar, politik dhe institucional dhe aleanca e vlerave demokratike e perëndimore janë shinat e binarëve të ardhmërisë së përbashkët”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se gjatë viteve të qeverisjes së tij është luftuar korrupsioni dhe është përmirësuar mirëqenia e qytetarëve. Ai theksoi gjithashtu investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke nënvizuar se Kosova do të pajiset me helikopterë amerikanë për t’u mbrojtur nga çdo rrezik. Për Gjilanin, Kurti përmendi ndërtimin e Digës së Firajës, e cila pritet të furnizojë me ujë gjysmë milioni banorë, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të rëndësishme për rajonin. Ai foli gjithashtu për projektin e autostradës së Gjilanit, duke theksuar se, pavarësisht pengesave, ndërtimi do të vazhdojë deri te Uji i Bardhë. Ai përmendi edhe të arriturat që i ka pasur si qeverisë, duke përmendur, heqjen e vizave, tabelat RKS, çështjen e rrymës, fletat e bardha që ishin për të hyrë në Serbi etj.
“Pra përveç që po blejmë sistemin Javelin, po blejmë edhe helikopterë ushtarakë që do ta mbrojnë Kosovën cep më cep. Në mandatin që po na pret motoja jomë është shëndetësi që po na pret spital pas spitali. Tash të dashur kemi ndarë 8 milionë euro për Spitalin e Gjilanit, i cili do të jetë qendër spitalore”, tha Kurti.
Kurse nënkryetar i LVV-së, Glauk Konjufca u shpreh i bindur në fitore. “Unë po e vërej qartë se pulsi i Kosovës është 118, prandaj Albin Kurti urime mandati i tretë”
E kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni premtoi më shumë çerdhe për fëmijë, rinovim të qendrës sportive e zgjerim të rrugëve.
“Plot 100 projekte për Gjilanin tonë, vetëm në infrastrukturë qeveria ka mbështetur 31 projekte.
Para qytetarëve të Gjilanit premtime për mbështetje të grave ka dhënë kandidatja për deputete e LVV-së, Albulena Haxhiu e cila ftoi gratë e vajzat e këtij qyteti të votojnë në numër të madh më 9 shkurt për Vetëvendosjen.